Takim miqësor me diasporën, Sali: Bashkëpunim i vazhdueshëm për të mirën e vendit

Zëvendëskryeministri i parë dhe një nga liderët e VLEN-it, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim miqësor me kryetarin e Lidhjes së Bashkuar të Diasporës Kërçovare, Milaim Ziberi, ku në fokus ishte roli i mërgatës në proceset zhvillimore të vendit.
“Sot realizuam një takim tejet miqësor me kryetarin e Lidhjes së Bashkuar të Diasporës Kërçovare, Milaim Ziberi”, ka shkruar Sali.
Ai theksoi mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si faktor kyç në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike.
“Me këtë rast edhe njëherë shprehëm mirënjohje ndaj mërgatës sonë për angazhimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në të mirë të vendit tonë”, u shpreh ai.
Sipas Salit, diaspora mbetet një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe në investime, duke kontribuar në forcimin e vendlindjes.
“Diaspora mbetet një shtyllë e rëndësishme në proceset politike, në zhvillimin ekonomik dhe në investime, duke kontribuar vazhdimisht në forcimin dhe avancimin e vendlindjes sonë. Roli i saj është i pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe në mbështetjen e projekteve me interes të përgjithshëm”, ka theksuar zëvendëskryeministri i parë.



