Tajlanda dhe Kamboxhia përplasen në kufi – 33 të vrarë, pritet takim urgjent për paqe në Malajzi

Kriza në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias ka hyrë në ditën e pestë të saj, ndërsa të paktën 33 persona janë konfirmuar të vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve intensive që nisën më 24 korrik.
Në përpjekje për të ndalur përshkallëzimin, udhëheqësit e të dy vendeve pritet të takohen sot në Malajzi, në një raund bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, i cili aktualisht kryeson ASEAN-in.
Takimi vjen pas thirrjes së presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm si parakusht për bisedimet tregtare me Washingtonin.
Kamboxhia, me ushtri më të dobët se Tajlanda, ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm. Por Tajlanda ngul këmbë që dialogu duhet të ndodhë para ndaljes së zjarrit.
Kryeministri tajlandez në detyrë, Phumtham Wechayachai, ka akuzuar Kamboxhian për mungesë të vullnetit të mirë.
“Nuk besojmë se Kamboxhia po vepron me mirëbesim. Ata duhet të tregojnë qëllim të vërtetë dhe këtë do ta vlerësojmë gjatë takimit”, u shpreh ai në aeroportin e Bangkokut.
Në tryezën e bisedimeve në Kuala Lumpur pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë nga SHBA dhe Kina, të cilat kanë interes të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal.
Kujtojmë se tensionet midis dy vendeve kanë rrënjë të thella historike që datojnë nga ndarja kufitare e shekullit të kaluar, pas pushtimit francez të Kamboxhias.