Tajani: Ne mbështesim anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE para vitit 2030

Zv/kryeministri dhe ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, ka deklaruar se Italia mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) para vitit 2030, raporton Anadolu.

Tajani është nikoqir i një takimi të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe miqve të këtij rajoni në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë.

Para se të fillojë takimi, ai u tha gazetarëve se qëllimi i takimit është që t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve midis Brukselit dhe Ballkanit.

“Ne jemi në favor të anëtarësimit të të gjitha vendeve në BE para vitit 2030. Ndoshta Bosnjë e Hercegovinës i duhet më shumë kohë, por të tjerat kanë bërë përparim dhe mendoj se viti 2029 është një kohë e mirë. Ne e duam këtë edhe për Bosnjë e Hercegovinën, por mund të marrë më shumë kohë. Ne vazhdojma ta mbështesim atë”, tha Tajani.

Shefi i diplomacisë italiane gjithashtu tha se shpreson që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë të mos vazhdojnë.

Më herët, Tajani në raste të ndryshme ka shprehur qëndrimin se Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohet në BE para vitit 2030.

Në takimin në Romë morën pjesë shefat e diplomacisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe ministrat e jashtëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (Italia, Austria, Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia).

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas dhe komisarja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë njoftoi se synimi i takimit të sotëm në Romë është forcimi i koordinimit për synimet dhe prioritetet që do të ndiqen në vitin 2025, me qëllim të rritjes së sigurisë së rajonit dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE në kuadër të bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button