Sveçla: Burimi i kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës është në Serbi

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se numri nga i cili Kuvendi i Kosovës mori kërcënim për bombë ditën e djeshme është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike serbe “MTS”, transmeton Anadolu.

Sveçla nëpërmjet rrjeteve sociale tha se shfrytëzuesi i këtij numri ka qenë ose është shtetas serb.

“Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zhivkoviq”, shkroi ministri kosovar në detyrë.

Tutje, ai tha se në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur edhe fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, derisa shtoi se institucionet kosovare po e trajtojnë rastin me prioritet të lartë.

“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, shkroi Sveçla.

Më 5 korrik, në prag të fillimit të seancës, zyrtarët policorë i larguan deputetët, pjesëtarët e mediave dhe zyrtarët nga objekti i Kuvendit të Kosovës për shkak të një paralajmërimi për bombë i cili u bë, sipas policisë, me “sms” dhe në gjuhën angleze.

Seanca, e cila planifikohej të mbahej në orën 11:00, u shty më pas për orët e mbrëmjes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button