Sulmi terrorist në Banjskë – ngrihet aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë.
Në mesin e personave që është ngritur aktakuzë është edhe Milan Radoiçiqi.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht për të arritur deri te ngritja e kësaj aktakuze.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.
Prokurori i rastit, Naim Abazi tha se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Aktakuza përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri tek financimi dhe shpëlarja e parave. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Milan Radoiçiq si udhëheqës i grupit”, ka thënë Abazi.
Prokurori ka shtuar se janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1266 armë dhe pajisje të tjera dhe se kanë siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike.
“Gjatë këtij hetimi kemi hasur edhe në sfida duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar, vështirësisë në gjurmimin e fondeve të shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjikeve të avancuara për përfshirje në aktet kriminale nga ana e të akuzuarve”, ka deklaruar Abazi.
Abazi ka shtuar se gjatë fazës së hetimeve kanë realizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme ku përfshihen prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare si dhe janë konfiskuar mbi 1266 armë dhe pajisje të tjera.
“Tek vepra penale e “Shpëlarjes së parave” është zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime të pasurive të paluajtshme”, tha ai.
Abazi shtoi se nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të përfshitë në këtë rast të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.
“Presim që ky rast të shërbejë si paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë të shkelin ligjin dhe të rrezikojnë sigurinë publike në vendin tonë”, ka thënë Abazi.