Sulmi ndaj trenit në Pakistan, lirohen 155 pasagjerë dhe vriten 27 sulmues

Në operacionin e kryer ndaj trenit të sulmuar, brenda të cilit ndodheshin rreth 450 persona në rajonin Balochistan, në jugperëndim të Pakistanit, janë liruar 155 pasagjerë të marrë peng si dhe janë neutralizuar 27 sulmues, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të Radio Pakistanit, vazhdon operacioni i forcave të sigurisë, pasi një tren që udhëtonte nga Quetta të Balochistanit në Peshawar të provincës Khyber Pakhtunkhwa u ndalua nga persona të armatosur dhe pasagjerët e tij u morën peng.

Burimet e sigurisë thanë se 155 pasagjerë janë shpëtuar nga duart e sulmuesve dhe se në përleshjen e ndodhur janë vrarë 27 sulmues. Gjithashtu burimet bënë të ditur se sulmuesit pranë pengjeve në mesin e të cilëve gjenden edhe gra dhe fëmijë kanë vendosur kamikazë.

Më tej burimet njoftuan se operacioni vazhdon me shumë përpikëri ndërsa 37 prej të shpëtuarve janë të plagosur dhe janë dërguar në spital për trajtim. Sipas lajmit të gazetës “Dawn”, edhe pse nuk është konfirmuar, deri më tani në përleshjet kanë humbur jetën 10 persona, përfshirë 8 nga forcat e sigurisë.

Zyrtarët e hekurudhave thanë se rreth 750 pasagjerë kanë bërë rezervim, por se treni nga Quetta është nisur me rreth 450 pasagjerë.

– Sulmi ndaj trenit në Balochistan

Një sulm i armatosur është kryer ndaj një treni që dje transportonte rreth 450 persona nga Quetta e Balochistanit në Peshawar të Khyber Pakhtunkhwa.

Përgjegjësinë mbi sulmin e mori Ushtria Çlirimtare e Balochistanit (BLA) ndërsa zyrtarët njoftuan se shumë udhëtarë ishin marrë peng nga BLA.

Autoritetet thanë se zona ku u ndal treni ishte malore, duke e bërë më të lehtë për të dyshuarit të fshiheshin dhe të planifikonin sulmin e tyre.

Zyrtarët e sigurisë konfirmuan se sulmi ishte kryer nga BLA, duke thënë se BLA i zu pritë trenit brenda tunelit dhe përdori gratë dhe fëmijët si mburoja të gjalla.

Ndërkaq, burimet e ushtrisë së Pakistanit në deklaratën për gazetarët duke e cilësuar këtë si “sulm terrorist”, njoftuan se forcat e sigurisë kishin rrethuar sulmuesit dhe se vazhdon përleshja midis tyre.

Burimet thanë se operacioni po kryhet me kujdes maksimal pasi sulmuesit përdorin gratë dhe fëmijët si mburoja të gjalla në kushte të vështira terreni.

– Çështja e terrorit në Pakistan

Sulmet e armatosura në Pakistan janë veçanërisht të përqendruara në provincat e Khyber Pakhtunkhwa dhe Balochistan, të cilat janë në kufi me Afganistanin.

Në të dyja provincat, grupet e armatosura që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e grupeve etnike Pashtun dhe Baloch kanë kryer sulme ndaj forcave pakistaneze të sigurisë dhe civilëve.

Përderisa Islamabadi pohon se Talebanët e Pakistanit (TTP) janë pozicionuar në Afganistan dhe se prej këtu i organizojnë sulmet, administrata afgane i mohon këto pretendime.

Në Balochistan, nga ana tjetër, në pah dalin sulmet e BLA-së, duke kërkuar që provinca Balochistanit të ndahet nga Pakistani dhe që populli Baloch të administrojë me këtë rajon.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button