Suedi, dalin pamje që shfaqin panikun dhe kaosin gjatë të shtënave në shkollë

Në rrjetet sociale janë shfaqur pamjet që tregojnë momente të studentëve që fshihen pas tavolinave gjatë të shtënave me armë në një shkollë në Suedi, duke nxjerrë në pah panikun dhe kaosin brenda klasës, transmeton Anadolu.

Numri i të vdekurve nga të shtënat në shkollën për të rritur në pjesën qendrore të Suedisë është rritur në 11, ndërsa autori besohet të jetë në mesin e të vrarëve, njoftoi policia.

Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar numrin e të plagosurve, ndërsa sipas mediave lokale, policia paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.

“Ne nuk kemi një pasqyrë të plotë për momentin në lidhje me numrin e të plagosurve”, tha zëdhënësi i policisë, Fredrik Svedemyr, duke shtuar se nuk dihet as niveli i lëndimeve për ata që trajtohen në spital dhe se ekziston rreziku që numri i viktimave të rritet.

Të shtënat ndodhën të martën rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, ku në shënjestër ishte qendra e arsimit të të rriturve që ndodhet në një kampus me shkolla të tjera në Campus Risbergska në Orebro, një qytet 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.

Autoritetet besojnë se autori është në mesin e të vdekurve, duke shtuar se ai ka vepruar i vetëm, por ende nuk dihen motivet e sulmit.

Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf dhe Mbretëresha Silvia, dje vizituan oborrin e shkollës ku ndodhi sulmi më i madh me të shtëna në vendin nordik.

Duke folur për mediat lokale, mbreti dhe mbretëresha thanë se janë të tmerruar nga incidenti.

“Ku shkoi Suedia e bukur? Unë me të vërtetë dua t’ju kërkoj të gjithëve që të ndihmojnë në ndërtimin e saj përsëri”, tha mbretëresha Silvia.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button