Stuhia “Kristin” godet Portugalinë: Vdesin dy persona, mbi 800,000 familje pa energji elektrike

Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta që goditën Portugalinë gjatë natës kanë vrarë të paktën dy persona dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonën e Lisbonës dhe në qendër të vendit, thanë shërbimet e shpëtimit.
Stuhia Kristin solli shira të rrëmbyeshëm dhe erëra deri në 150 kilometra në orë, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve, përmbytje dhe rrëshqitje toke, dhe duke i detyruar shërbimet e shpëtimit të reagojnë ndaj rreth 1,500 incidenteve midis mesnatës dhe orës 8 të mëngjesit të sotëm.
Një person u vra në Vila Franca de Cira, në periferi të Lisbonës, kur një pemë e shkulur nga rrënjët ra mbi makinën që ai po drejtonte, sipas Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes Civile. Një person tjetër u vra nga rënia e një ” strukture metalike ” në Monte Real, në rajonin Leiria, tha mbrojtja civile.
Qeveria portugeze reagoi me një deklaratë duke e karakterizuar stuhinë si “një ngjarje ekstreme klimatike, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme në shumë pjesë të territorit”.
Deri në 850,000 familje dhe institucione mbetën pa energji elektrike në orët e para të mëngjesit.
Disa rrugë mbeten të bllokuara ose pjesërisht të mbyllura, përfshirë autostradën kryesore që lidh Lisbonën me veriun e vendit, dhe shërbimet hekurudhore janë prekur gjithashtu në disa zona.
Disa komunitete kanë vendosur t’i mbajnë shkollat të mbyllura sot , dhe në Figueira da Foz, në bregdetin e Portugalisë qendrore, era rrëmbeu një rrotë të madhe.
Portugalia është goditur ditët e fundit nga stuhi të njëpasnjëshme, të cilat shkaktuan tashmë një vdekje këtë fundjavë, kur një burrë u rrëmbye nga ujërat ndërsa përpiqej të kalonte një lumë të vogël me makinën e tij.
Stuhia Kristin vazhdoi drejt lindjes dhe arriti në Spanjë këtë mëngjes, e cila ende po përpiqet të përballojë efektet e një sistemi të mëparshëm, Stuhisë Joseph. Në qytetin bregdetar të Torremolinos, erërat e forta shkaktuan rrëzimin e një peme të martën, duke vrarë një grua.
Më shumë se 160 rrugë në të gjithë Spanjën u prekën nga dëbora, duke përfshirë 27 autostrada në rrjetin kryesor të autostradave, siç është A-6 që lidh Madridin me pjesën veriperëndimore të vendit. Bora mbuloi gjithashtu çatitë e shtëpive në pjesë të Madridit qendror, por nuk shkaktoi probleme të mëdha.



