Stuhia “Bert” sjell përmbytje masive në Uells
Stuhia “Bert” prej ditës së djeshme ka shkaktuar probleme në mbarë Britaninë duke sjellë borë, shi dhe erëra të forta, ndërsa sot disa zona po përballen me përmbytje. Disa pjesë të Uellsit të Jugut janë në alarm “të kuq” pasi një lumë ka dalë nga shtrati dhe si pasojë ka sjellë përmbytje masive.
Një zyrtar lokal tha se “me pikëllim të thellë shikoj shkatërrimin e shkaktuar nga stuhia e mbrëmshme dhe përmbytjet e rënda në komunitetet tona. Përmbytjet në zonat Rhondda dhe Ogmore janë të paprecedentë. Nuk e kam parë kurrë më parë në këtë shkallë. Ekipi im dhe unë po punojmë pa u lodhur për të mbështetur të prekurit”.
Më shumë se 100 paralajmërime dhe alarme për përmbytjet janë lëshuar në të gjithë Uellsin, me ura të mbyllura dhe rrugë të bllokuara. Ujërat në rritje janë raportuar në disa qytete, duke përfshirë Pontypridd, Ebbw Vale dhe Aberdare, me rrëshqitje dheu në veri të vendit.
Videot dhe fotot e shpërndara në internet tregojnë pjesë të Pontypridd nën ujë, me makina të zhytura në ujë dhe pronarët e shtëpive që evakuojnë pronat e tyre pranë lumit Taff. Banorëve u bëhet thirrje që të qëndrojnë larg lumenjve të fryrë dhe të mos ecin me makinë nëpër ujërat e përmbytura.