Studentët mbërrijnë në Novi Sad, vijojnë protestat në Serbi, pritet bllokimi i urave

Pas një marshimi dyditor nga Beogradi, studentët kanë mbërritur në Novi Sad për të vijuar protestat kundër shembjes vdekjeprurëse të një strehe në stacionin e trenit.
Gjatë marshimit ata mbanin në duar kurora me emrat e 15 viktimave, ndërsa pritet që së bashku me studentët e qytetit të përshkojnë rrugët qendrore deri te stacioni i trenit, ku do të mbajnë homazhe.
Në shenjë revolte studentët pritet të bllokojnë edhe tri ura mbi lumin Danub.
Demonstruesit nisën marshimin e tyre rreth 75 kilometra të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit, ndërsa rruga është siguruar nga policia. Kolona shoqërohej po ashtu edhe nga autoambulanca e cisterna uji.
Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.
Protestat nuk janë ndalur edhe pas dorëheqjes se kryeministri serb Millosh Vuçeviq.