Studentët dhe nxënësit në Itali protestojnë kundër qeverisë Meloni

Dhjetëra mijëra nxënës dhe studentë në Itali dolën në sheshe në shumë qytete për të protestuar kundër politikave arsimore të qeverisë së koalicionit të djathtë nën udhëheqjen e kryeministres Giorgia Meloni dhe kundër mbështetjes së saj ndaj Izraelit, raporton Anadolu.
Në kryeqytetin e vendit, Romë, si dhe në Milano, Torino, Napoli, Gjenovë dhe Bolonjë, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë organizuan protesta nën thirrjen “No Meloni Day” (Dita pa Melonin).
Rreth dy mijë protestues që u mblodhën në Milano, gjatë marshimit pranë ndërtesave simbolike të qytetit si katedralja Duomo, shprehën pakënaqësinë ndaj politikave arsimore të qeverisë Meloni dhe ndaj faktit që në buxhetin e vitit 2026 më shumë fonde janë ndarë për mbrojtjen sesa për arsimin.
Gjatë protestës, studentët ndezën pishtarë me ngjyrat e flamurit palestinez dhe mbajtën pankarta me mbishkrime si “Shkollat kundër gjenocidit” dhe “Stop gjenocidit”, duke protestuar si ndaj Izraelit, ashtu edhe ndaj mbështetjes së qeverisë Meloni për këtë vend.
Gjatë marshimit u hapën shumë flamuj palestinezë dhe u dëgjuan thirrje si “Izraeli, shtet fashist dhe terrorist”. Në kryeqytetin Romë, një grup studentësh gjatë protestës derdhën ngjyrë të kuqe para Ministrisë së Arsimit.
Edhe në qytetet e tjera të vendit, gjatë marshimeve, qeveria Meloni u akuzua për bashkëfajësi me Izraelin. Sipas lajmeve në mediat italiane, protestat në Torino dhe Bolonjë janë shënuar me tensione dhe përplasje mes studentëve dhe forcave të sigurisë.



