Strategjia e Perëndimit për të lënë punët përgjysmë
Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Tragjedia e tashme e Ukrainës është shembull se si mund të çoroditen fatet e një shteti, punët e të cilit janë lënë përgjysmë nga ana e aleatëve të tij. Integrimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i saj në NATO, janë lënë në gjysmë të rrugës, gjë që i ka lënë dorë të lirë Rusisë që sot të bëjë gjenocid dhe urbicid në atë vend. Vërtet, Ukraina është lënë në baltë nga aleatët e saj perëndimorë, shkaku i kalkulimeve hileqare të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, ku koncensusi në vendimmarrje shumë herë përdoret si kartë hileqare nën mëngë, për të realizuar politika egoiste dhe okulte. Në rastin e Ukrainës shtete si Franca dhe veçmas Gjermania, për shkak të interesave të veta egoiste e okulte me Rusinë, e kanë bllokuar rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe BE. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e kanë lënë në baltë edhe më shumë. Ato i kanë dhënë Ukrainës garancione pa mbulesë për sovranitetin e saj, në këmbim të dorëzimit të arsenalit bërthamor, por pa ia hapur rrugën e anëtarësimit në NATO. Marrëveshja e Budapestit e vitit 1994, ndërmjet Rusisë e Ukrainës, e garantuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, do të duhej ta kishte një klauzolë që dorëzimi i arsenalit bërthamor të kishte si kompensim anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Por, nuk e ka pasur. Ukrainës i janë dhënë premtime, pa garancione. Rjedhimisht ajo marrëveshje është tradhti ndaj Ukrainës, sepse ia kanë hequr nga dora arsenalin bërthamor, të cilin po ta kishte sot, Rusia nuk do të guxonte kurrë ta sulmonte. E mbetur në gjysmë të rrugës së anëtarësimit në BE dhe NATO, sot Ukraina është viktimë e agresionit barbar rus dhe e kërcënuar me rikthim nën tutelen ruse, ose me copëtim të vendit. Meqë agresioni rus është duke vazhduar e duke u intensifikuar, sot nuk mund të dihet si do të përfundojë kjo tragjedi e Ukrainës, por qysh sot mund të dihet se aspirata e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, po paguhet me çmim tepër të lartë, ndërsa BE dhe NATO ende janë duke harmonizuar politikat e veta, se si të ndihmojnë Ukrainën, por veëtm nga distanca.
Loja e moçme e Perëndimit me premtime pa mbulesë
Strategji të tilla të dhënies së premtimeve pa mbulesë, të nxitjes së rebelimeve dhe të lënies pastaj në “fatin e vet”, Perëndimi ka testuar edhe në të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, e cila u shndërrua në një tragjedi arabe. Rebelimi kundër sundimeve gjakatare e totalitare në Tunizi, në Egjipt, në Libi e në Siri, u inkurajua nga bota perëndimore, me synimin që ato shtete të shndërroheshin në shtete demokratike. Por, kur zhvillimet morën drejtim të përgjakshëm, popujt e atyre shteteve u lanë në fatin e vet dhe e paguan me gjakun e vet një tentativë të pasuksesshme për t’u liruar nga sundimet gjakatare. Përderi sa në Egjipt ndodhi restaurimi i diktaturës, Libia faktikisht u shpërbë, Tunizia mbijetoi por me kriza që nuk po reshtin, Siria u shndërrua në storien më të përgjakshme të së ashtuquajturës “Pranvera Arabe.” Siria u shndërrua në arenë të luftës politike e të luftërave sektare, të rivaliteteve të shteteve të rajonit, Iranit, Turqisë e Arabisë Saudite dhe të matjes së muskujve të Fuqive të Mëdha, SHBA e Rusisë, në rend të parë. Siria u shkatërrua pothuajse tërësisht dhe në fund mbeti si trofe lufte i Rusisë, me Asadin si sundimtar kukull. Triumfi në Siri e inkurajoi Rusinë që të mësynte Ukrainën, e bindur se Perëndimi ishte i përçarë dhe i dobët. Në të vërtetë Perëndimi ashtu u paraqit në Siri, ku edhe hoqi dorë nga përkrahja e ideve fillestare të së ashtuqujaturës Pranvera Arabe dhe la të shkërryhen barbarisht në tokën e Sirisë, jo vetëm organizata paramilitare terroriste e shtete të rajonit dhe Rusia gjakatare.
Një nga rastet ku Perëndimi i la punët përgjysmë dhe u largua në panik, duke lënë që gjërat të rikthehehsin në pikën zero, në duart e talebanëve, ishte edhe Afganistani. Ndonëse Afganistani ishte një projekt i gabueshëm dhe tragjik që nga fillimi i pushtimit të tij nga SHBA dhe aleatët e saj, edhe aty punët u lanë përgjysmë, pasi ishte nxitur njëfarë vesternizimi i shoqërisë afgane. Vetë fakti që kishin instaluar një qeveri kukull, që mori ikën dhe e la vendin në kaos, është dëshmi se ishin adoptuar politika të instalimit të qeverive kukulla, e jo të trasnformimit të mirëfilltë të mbarë shoqërisë afgane. Bartja me avionë e ish bashkëpunëtorëve të armatës amerikane dhe të administratës properëndimore dhe degëdisja e atyre në vende të ndryshme kliente të SHBA-së, ishte një tabllo e dështimit të projektit amerikan e perëndimor, në stilin e njohur të lënies së punëve përgjysmë, që u jep mundësi armiqve për hakmarrje edhe më të egër. Sot talebanët janë më të fortë në pushtet se sa në vitin 2001!
Punët e lëna përgjysmë në Ballkan kërcënojnë ta rikthejnë luftën
Nga zhvillimet në Ukrainë, në botën arabe e në Afganistan, në sfondin e strategjisë perëndimore që punët të lihen përgjysmë, mund të kuptohet shumë më lehtë edhe gjendja në Ballkan. Veçmas mund të kuptohen krizat e mbetura të hapura në Kosovë e në Bosnë e Hercegovinë, ku punët janë lënë përgjysmë që nga fillimi. Në rastin e BeH, Marrëveshja e Dejtonit ka sjellë një paqe të brishtë, por nuk ka sjellë zgjidhje të qëndrueshme për shtetin. Republika Serpska ka mbetur si shtet në shtet, me të njëjtën ideologji armiqësore ndaj shtetit boshnjak dhe me të njëjtat lidhje me Serbinë e me Rusinë. Kapacitetet destabilizuese të Repubika Serpskas janë të tilla që në çdo moment mund të bllokojnë funksionimin e institucioneve qendrore të Bosnes, po edhe të fillojnë konflikte të armatosura. Pas gjithë asaj lufte të përgjashme dhe pas gjenocidit serb në Srebrenicë, punët sërish kanë mbetur përgjysmë, ku serbët janë shpërblyer në vend se të ndëshkoheshin për agresionin e faktuar të Serbisë kundër BeH dhe për gjenocidin në Srebrenicë.
Punë e lënë përgjysmë është edhe puna në Kosovë. Marrëveshja në Rambuje nuk u arrit (fatmirësisht.) Marrëveshja e Kumanovës ka larguar forcat serbe nga Kosova, por pa pasur ndonjë qëndrim për statusin e Kosovës. Nga ana tjetër rezoluta 1244 ka tentuar të ofrojë një kompromis lidhur me statusin e Kosovës, duke e koncptuar Kosovën brenda RFJ-së po edhe duke e lënë mundësinë e deklarimit të popullsisë, pas një periudhe tranzitore. Pra, në të gjitha drejtimet puna ka mbetur përgjysmë, gjë të cilën e ka vazhduar edhe Procesi i Vjenës, shumë më keq ai i Brukselit. Pra, në vend se të organzizohej një referendum, ku pas një periudhe trevjeçare të administrimit ndërkombëtar, popullsia të votonte për statusin e Kosovës, ashtu si e lejonte rezoluta 1244, u fillua Procesi i Vjenës, i cili e proklamoi një pavarësi të kushtëzuar. Për shkak të statusit të kushtëzuar, Kosova nuk arriti të konsolidohej si shtet dhe u bë arenë e lojërave të ndyta, që nga ndikimi i Serbisë, raporti i Dik Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës deri te Gjykata Speciale, që janë thikë mbas shpine Kosovës, jo vetëm nga armiqtë e saj, po edhe me dorën e aleatëve të saj. Puna e lënë përgjysmë, ua hapi portat e eskperimentimeve të derisotme, të cilave nuk po u shihet fundi. Ndikimi politik i Serbisë në Kosovë sot është më i madh se sa në vitet nëntëdhjetë, kur Kosova ishte e okupuar, por tërësisht refuzuese ndaj çdo tentative serbe.
Edhe Perëndimi ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës
Në fakt, edhe aq sa ka kryer punë për pavarësinë e Kosovës, Perëndimi e ka bërë qartaqejfas, sepse nuk kanë qenë fare në favor të pavarësimit të Kosovës. Këtë gjë e konfirmon edhe njeriu më dashamirës i Kosovës në faqe të dheut nga bota perëndimore, Madlen Ollbrajt, kur pohon se: “I kisha kërkuar njërit prej këshilltarëve të mi më të afërt, James O’ Brien-it arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit, të lidhej me ambasadorin Cheistofer Hill dhe të dy të kryesonin bisedimet. Së bashku kishin propozuar një zgjidhje interesante, në bazë të së cilës Kosova do të mbetej brenda Jugosllavisë e do të krijonte një polici të re me forca civile, si edhe institucione të tjera vetëqeverisëse. Pa ia mbyllur dyert pavarësisë, që mund të vinte më vonë, propozimi kërkonte një periudhë të ndërmjetme prej të paktën tre vjet, përpara se të mirrej në shqyrtim kjo çështje delikate.”
Ndërsa për bisedën e zonjës Ollbrajt me presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviqin në Rambuje, Ollbrajt sjellë këtë detaj me rëndësi: “I thashë se zgjidhja politike që kishim paraqitur ishte e mirë për vendin e tij. Ajo do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovë brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësinë ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin.” Pra, njeriu më dashamirës i Kosovës, njëherësh diplomati më kompetent në atë kohë, e kishte në mendje e në tavolinë këtë projekt autonomist, e jo pavarësinë e Kosovës.
Këtë gjë e saktësin edhe strategu i mëvonshëm i Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Pardju, i cili konstaton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negocuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, nga rruga që ka ndjekur shtefotmimi i Kosovës është e qartë se Kosova është bërë shtet prej zorit e jo nga logjika e hekurt e interesave gjeopolitike të Perendimit, gjë që ne kemi dëshirë ta sforcojmë, si gjoja fakt. Për arsye se është formuar si shtet, si pasojë e refuzimit arrogant të Millosheviqit ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, e jo si projekt i Perëndimit, Kosova është lënë qëllimisht për këto dy decenie si projekt gjysmak.
Mësimet që duhet të nxjerrë Kosova
Si pasojë e këtij realiteti, Kosova është e pavarur, por pavarësinë e saj nuk e pranojnë pesë shtete të BE. Kosova është e pavarur, por katër shteteve të NATO-s nuk e pranojnë pavarësinë esaj, ndonëse NATO e tyre ushtron mandat legal sigurie në Kosovë. Bile, jo vetëm Kosova e Bosnja, po edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali I Zi janë për një kohë të gjatë si projekte përgjysmë. Për atë arsye, në Mal e Zi pati tentim të grushshtetit nga shërbimet ruse e serbe, ndërsa në Maqedoninë e Veriut poashtu pati një rebelim me elemente të grushtshtetit në Sobranje. Pranimi i këtyre dy shteteve në NATO, i ka larguar nga zona e rrezikut direkt të intrvenimti rus e serb, ndonëse Mali i Zi ka pësuar sërish një goditje me fitoren e forcave proserbe. (Në rastin e Malit të Zi duket sikur fitorja e forcave proserbe e ka pasur edhe miratimin e Perëndimit, për ta detronizuar sundimin e Gjukanoviqit, sikundër që trazira në Sobranie, duket sikur e dhënë pretekstin për të rrëzuar pionin rus, Gruevskin.)
Çka mund të mësojmë ne si Kosovë nga këto përvoja të punëve të lëna përgjysmë nga Perëndimi, për kohën e tashme dhe të ardhshme? E para, duhet ta kemi para sysh rrezikun që Kosova mund të përfshihet në skenarët e konflikteve, në pajtim me përvojat e deritashme të krizave të lëna pa u zgjidhur plotësisht. Fjala vjen, ideja për shkëmbimin e territoreve ka qenë në funksion të rindezjes së konflikteve. Po edhe aktivitetet e tashme diversioniste në veri të Kosovës janë në funksion të rindezjes së konfliktit. Prandaj, duhet të bëhet politikë e matur dhe të mos hyhet në skenarë me të panjohura. E dyta, shtetet anëtare të BE dhe të NATO-s që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, janë nxitëse të konflikteve, sepse e ushqejnë ambicien e Serbisë për ripushtimin e Kosovës. Ato e dinë se ish federata e Jugosllavisë më nuk ekziston, e dinë se e ka shpall të shpërbërë komisioni i Badenterit, e dinë se Kosova nuk mund të kthehet nën Serbi pa luftë, po prapë e mohojnë pavarësinë e Kosovës. Ndaj, ekspertiza e shteteve të BE-së nuk duhet të pranohet, madje as në Procesin e Brukselit, sepse mund të ketë brenda vetes edhe elemente komplotiste të shteteve armiqësore. E treta, duhet të jetë e qartë se edhe Perëndimi zhvillon në shumë raste politika jo të moralshme, ku tregu i armëve mund të dominojë mbi politikën, të drejtën dhe mbi moralin. Prandaj aleanca me Perëndimin duhet të jetë strategjike, por e peshuar në çdo detaj. Verbërisht nuk duhet t’i besohet askujt. Kush ka dilema në këtë qasje, vetëm le ta shikojë Sirinë dhe Ukrainën!