Starmer: Britania po punon me aleatët evropianë për një plan për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi se vendi i tij po punon me aleatët evropiane për një plan të përbashkët që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Në një konferencë për shtyp, Starmer theksoi se Londra ka ndërmarrë tashmë masa emergjente së bashku me vende të tjera për të stabilizuar tregun e energjisë.
“Ne kemi vepruar tashmë së bashku me vende të tjera për të liruar rezerva emergjente të naftës në një nivel krejtësisht të paprecedentë. Por në fund të fundit, duhet të rihapim Ngushticën e Hormuzit për të siguruar stabilitet në treg,” tha ai.
Kreu i qeverisë britanike shtoi se rikthimi i lirisë së lundrimit në këtë zonë është një proces kompleks dhe kërkon koordinim ndërkombëtar.
“Ky nuk është një proces i thjeshtë. Prandaj po punojmë me të gjithë aleatët tanë, përfshirë partnerët europianë, për të ndërtuar një plan kolektiv të zbatueshëm që mund të rikthejë sa më shpejt lirinë e lundrimit në rajon dhe të zbusë ndikimet ekonomike,” u shpreh Starmer.
Ai nuk përmendi në mënyrë specifike përfshirjen e SHBA -ve në këtë plan, por theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për stabilizimin e situatës në rajon.



