Spanja zbulon 5 masa për të frenuar abuzimet në rrjetet sociale dhe për të mbrojtur të miturit

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka njoftuar masa të reja për rregullimin e platformave të rrjeteve sociale dhe forcimin e mbrojtjes së të miturve, duke theksuar se hapësirat digjitale kanë lehtësuar veprimtari kriminale, dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme, transmeton Anadolu.

Në një video mesazh të shpërndarë mbrëmë vonë në platformën amerikane të rrjeteve sociale X, Sanchez tha se zhvillimet e fundit shënojnë një moment të paprecedentë për demokracinë e Spanjës.

“Këtë javë ka ndodhur diçka e paprecedentë në historinë e demokracive tona. Një oligark teknologjik ka depërtuar në telefonat e miliona qytetarëve spanjoll për t’u thënë se çfarë të mendojnë. Ky është një shembull serioz i abuzimeve të ndërhyrjes që ne po përpiqemi të luftojmë”, tha Sanchez.

Ai i përshkroi rrjetet sociale si “një lloj Perëndimi i Egër në një shtet të dështuar”, duke shtuar se aplikacione si ky ofrojnë strehë për mijëra kanale të përkushtuara ndaj aktiviteteve kriminale që përfshijnë p rnografi dhe dhunë.

Sanchez gjithashtu theksoi keqpërdorimin e inteligjencës artificiale.

“Kemi parë se si inteligjenca artificiale po përdoret nga këto aplikacione për të krijuar imazhe të rreme nudo, madje edhe të të miturve, si na përgjojnë, si na vjedhin të dhënat dhe si platformat përfitojnë duke amplifikuar urrejtjen dhe dezinformimin”, tha ai.

Sipas kryeministrit spanjoll, qeveria ka nisur pesë masa “për të mbrojtur të miturit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në mjediset digjitale”.

Këto përfshijnë bashkëpunimin me Prokurorinë Publike për hetimin e krimeve në rrjetet sociale, ndjekjen penale të manipulimit të algoritmeve që përdorin të dhëna personale pa pëlqim dhe ngritjen e akuzave penale ndaj kompanive që refuzojnë të heqin përmbajtje të paligjshme.

Hapa të tjerë përfshijnë krijimin e “bazës së parë të të dhënave për urrejtjen dhe polarizimin” dhe kufizimin e qasjes në platformat për personat nën moshën 16-vjeç.

“Ne e dimë se kjo elitë teknologjike ka më shumë para dhe madje më shumë pushtet se shumë shtete, por vendosmëria jonë është më e fortë se xhepat e tyre. Prandaj do të ecim përpara pavarësisht kërcënimeve të tyre”, tha Sanchez.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button