Spanja mbyll hapësirën ajrore për ushtrinë amerikane për shkak të luftës me Iranin

Ministri i Jashtëm spanjoll Albares tha se vendimi është në përputhje me qëndrimin e qeverisë për të mos bërë asgjë që mund të përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme

Zyrtarët e qeverisë spanjolle konfirmuan se Spanja i ka mbyllur SHBA-së përdorimin e hapësirës së saj ajrore për fluturime të lidhura me luftën që përfshijnë Iranin, transmeton Anadolu.

Kufizimet vlejnë edhe për avionët amerikanë të stacionuar në vende të treta si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, thanë burime ushtarake spanjolle për gazetën “El Pais”.

Washingtoni kishte shqyrtuar gjithashtu vendosjen e bombarduesve strategjikë si avionët B-52 dhe B-1 në bazat në jug të Spanjës, por propozimi u hoq pasi Madridi e bëri të qartë se nuk do të mbështeste operacionet pa mbështetje ligjore ndërkombëtare, shtoi “El Pais”.

Ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles përsëriti sot qëndrimin e qeverisë.

“Të gjithë e dinë qëndrimin e Spanjës. Përdorimi i bazave nuk është i autorizuar dhe sigurisht përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle nuk është i autorizuar për veprime që lidhen me luftën në Iran”, u tha ajo gazetarëve.

Spanja ka bërë një përjashtim të kufizuar për situatat e emergjencës, duke lejuar avionët të kalojnë tranzit ose të ulen nëse është e nevojshme, raportoi “El Pais”.

Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares tha se vendimi është në përputhje me qëndrimin e qeverisë për të mos “bërë asgjë” që mund të përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme.

Ai i tha transmetuesit RAC1 se tani është “më i shqetësuar” sesa një muaj më parë për situatën, duke paralajmëruar se ajo përfaqëson një skenar ushtarak “shumë serioz”.

“Në çdo moment, mund të shohim një eksod të emigrantëve nga Irani drejt Evropës”, ​​tha ai.

Albares shtoi se qeveria ka frikë se konflikti po shkon drejt një skenari “lufte të përhershme”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button