Sot votuan personat e burgosur të sëmurë dhe të pafuqishëm

Sipas njoftimit të fundit të KSHZ-së, procesi i votimit për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm dhe të burgosur është zhvilluar kryesisht pa probleme, njofton Portalb.mk.
Sipas KSHZ-së, deri në orën 15:30, nga gjithsej 8.848 persona të sëmurë ose të pafuqishëm të cilët kanë mundur ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, e kanë ushtruar gjithsej 5.385 votues. Nga gjithsej 2.162 persona që janë duke vuajtur dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim të drejtën e votës deri në orën 15:30 e kanë ushtruar 810 votues. Në institucionet e përkujdesjes jashtëfamiljare deri në orën 15:30 nga gjithsej 442 persona të vendosur në këto institucione, kanë votuar 135 votues.
Ndërkaq më herët, KSHZ njoftoi se, ka anuluar një listë të konfirmuar për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit të paraqitur nga Lëvizja për Unitet Kombëtar të Turqve (LUKT). Arsyeja është se më 17 tetor KSHZ, sipas informacioneve të marra, ka mësuar se në këtë listë ndodhej një person i ndjerë. KSHZ ka propozuar që për këtë rast të veprojë më tej Prokuroria Publike.
“Sipas Rregullores dhe Kodit Zgjedhor, KSHZ konstaton se anulohet lista për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit e paraqitur nga LUKT, e cila ishte konfirmuar nga Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit. KSHZ vendosi që votat e dhëna për listën e anuluar të anëtarëve të evidentohen si fletëvotime të pavlefshme në procesverbalin e votimit. Po ashtu, anëtarët e komisioneve zgjedhore komunale që zbatojnë votimin për Qytetin e Shkupit dhe Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit nuk do t’i llogarisin ato si vota të fituara në procesverbalet përmbledhëse për përllogaritjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit”, tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se një rast i tillë me një person të propozuar të ndjerë kishte ndodhur edhe vitin e kaluar. Edhe atëherë lista ishte refuzuar.
Kujtojmë se, mbrëmë në mesnatë filloi heshtja zgjedhore e cila do të zgjas deri ora 19:00 të 19 tetorit. Gjatë 20 ditëve fushatë për këto zgjedhje të lokale e cila filloi më 29 shtator, kandidatët për kryetar komunash kanë pasur mundësinë të prezantojnë ofertën e tyre para qytetarëve.
Sot votojnë personat e pafuqishëm ose të sëmurë, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat në azile.
Gjatë kohës së heshtjes zgjedhore ndalohet paraqitja mediatike e pjesëmarrësve në fushatë zgjedhore.
Radiodifuzerët duhet të raportojnë gjatë ditës së zgjedhjes, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Çfarë do të thotë heshtja zgjedhore?
Heshtja zgjedhore hyn në fuqi një ditë para zgjedhjeve,, kur mbaron fushata zgjedhore. Heshtja vazhdon deri në ora 19, në ditën e votimeve. Kjo nënkupton se propaganda, agjitimi partiak, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara.
Gjatë heshtjes zgjedhore informohet për zgjedhjet dhe rrjedhën e votimeve, por ndërpriten të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediatike.
Sipas Kodit Zgjedhor, si shkelje e heshtjes zgjedhore vlerësohet emetimi i informatave të çdo lloji, fotografive, materialeve audio dhe audio-vizuale lidhur me, ose të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet, çdo formë të raportimit mediatik të cilat janë në funksion të hapur ose të fshehtë të ndonjë fushate zgjedhore dhe mund të ndikojnë mbi vendimet e votuesve, të dhëna me të cilat e zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose të individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi tjera në ditën e votimeve, si dhe paraqitje nga kandidatë në procesin zgjedhor, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet e pushtetit.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet nesër, më 19 tetor. Fushata zgjati pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.



