Sot gjithë bota me sytë nga Shqipëria, liderët europianë sot në Tiranë

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian nis sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez; Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos, Albertin II; Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker; Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Holandës, Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës, Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
Pjesë e ngjarjeve të ditës do të jenë edhe ceremonia e mirëseardhjes në Samit, si dhe performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Samiti do të vijojë përgjatë ditës me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve.


