Sot fjalët përfundimtare të mbrojtjes në rastin e Llaskarcës

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot pritet të vazhdojë gjykimi për aksidentin e autobusit të Durmo Turs në Llaskarcë të rrethit të Shkupit i cili ka ndodhur në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 janë lënduar.
Seanca do të vazhdojë me fjalët përfundimtare të mbrojtjes të akuzuarit të dytë i cili ka qenë përgjegjës për transport në firmë Remzi Miftari, tre të akuzuarve tjerë të punësuar në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Babarovski, dhe shoferit të autobusit i cili është i akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski
Në seancën e kaluar, prokurori Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare tha se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Ai kërkoi që të akuzuarit të dënohen, ndërkaq përveç kësaj t’u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së transportit.
Pas fjalimit të gjatë dhe të detajuar të prokurorit, fjalë përfundimtare dhanë edhe avokatët e të dëmtuarve, të cilët shkurt thanë se e mbështesin plotësisht akuzën dhe kërkojnë ndjekje penale dhe dënim maksimal për të akuzuarit.
Mbrojtja e “Durmo Turs”, por edhe vetë pronari i kompanisë, Durmish Beluli, mohojnë kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident.



