Sonte pas mesnate ndryshon ora, fillon llogaritja verore e kohës

Llogaritja verore e kohës fillon më 29 mars 2026, kur në orën 2 pas mesnate akrepat zhvendosen një orë përpara, pra drejtpërdrejt në orën 3. Kjo do të thotë se nata do të jetë më e shkurtër për një orë, ndërsa ditët do të bëhen më të gjata.
Ndryshimi ndodh në natën mes së shtunës dhe së dielës dhe është pjesë e praktikës së rregullt që zbatohet në shumicën e vendeve evropiane, ku ora ndryshohet çdo vit në fundjavën e fundit të marsit.
Me zhvendosjen e akrepave përpara, humbet një orë gjumë, por fitohet më shumë dritë natyrore gjatë orëve të mbrëmjes. Kjo praktikë ka për qëllim shfrytëzimin më të mirë të dritës natyrore, edhe pse prej vitesh zhvillohen debate mbi arsyeshmërinë dhe ndikimin e saj në shëndet.
Ora verore do të zgjasë deri në fund të tetorit, kur akrepat do të kthehen sërish një orë prapa dhe do të fillojë periudha dimërore.



