Sondazh: Mbështetja e qytetarëve amerikanë për Izraelin në nivelin më të ulët historik për shkak të gjenocidit në Gaza

Mbështetja për Izraelin mes qytetarëve të Shteteve të Bashkuara ka rënë ndjeshëm, sipas një sondazhi të ri nga Gallup, duke shënuar një ndryshim të paprecedentë pas dekadash mbështetjeje dërrmuese dhe të pakushtëzuar për Izraelin, pavarësisht se cila parti ishte në Shtëpinë e Bardhë apo kontrollonte Kongresin.

Në raportin e publikuar të premten, agjencia e sondazheve thekson se 41 për qind e amerikanëve tani thonë se simpatizojnë më shumë me palestinezët, ndërsa 36 për qind mbeten më të prirur ndaj izraelitëve. Në kontrast, para sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit në tetor 2023 dhe luftës gjenocidale të zhvilluar më pas nga Izraeli në Gaza, 54 për qind e amerikanëve simpatizonin më shumë me Izraelin dhe 31 për qind me Palestinën.

Gjetjet kryesore të raportit

Demokratët
Simpatitë e demokratëve nuk kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit, pasi ato tashmë ishin zhvendosur fuqishëm drejt palestinezëve në vitin 2025, pas një prirjeje fillestare në këtë drejtim në vitin 2023. Aktualisht, 65 për qind e demokratëve thonë se simpatitë e tyre janë më shumë me palestinezët, ndërsa 17 për qind me izraelitët.

Të pavarurit
Sipas raportit, ndryshimi i këtij viti është nxitur kryesisht nga lëvizja e konsiderueshme mes votuesve të pavarur, të cilët tani i janë bashkuar demokratëve në mbështetje të palestinezëve. Me 41 për qind kundrejt 30 për qind, të pavarurit deklarojnë se simpatizojnë më shumë me palestinezët sesa me izraelitët, ndërkohë që në vitet e mëparshme ata kanë qenë më të prirur ndaj Izraelit – përfshirë 42 për qind kundrejt 34 për qind vitin e kaluar.

Republikanët
Shtatë në dhjetë republikanë thonë se simpatizojnë më shumë me izraelitët, ndërsa 13 për qind me palestinezët. Megjithatë, mbështetja republikane për Izraelin ka rënë me 10 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2004. Mbështetja për Izraelin është bërë thellësisht përçarëse brenda Partisë Republikane, duke krijuar ndarje edhe brenda lëvizjes konservatore të ekstremit të djathtë MAGA. Disa përfaqësues të saj, si ish-prezantuesi i Fox News i kthyer në podkaster të njohur, Tucker Carlson, janë bërë kritikë ndaj asaj që e cilësojnë si ndikim të tepruar të Izraelit në politikën amerikane.

Hendeku sipas moshës

Për herë të parë në sondazhet e Gallup që nga viti 2001, shumica e qytetarëve amerikanë të moshës 18–34 vjeç janë më shumë simpatizues të popullit palestinez. Ndërkohë, vetëm 23 për qind e të rinjve thonë se simpatizojnë më shumë me izraelitët – një nivel rekord i ulët për këtë grupmoshë. Mbështetja për Izraelin në këtë kategori ka rënë nga 45 për qind vitin e kaluar në 28 për qind.

Në mesin e të rriturve mbi 55 vjeç, 49 për qind simpatizojnë më shumë me izraelitët dhe 31 për qind me palestinezët – hera e parë që nga viti 2005 që më pak se gjysma e amerikanëve më të moshuar deklarojnë se janë më të prirur ndaj Izraelit.


Qëndrimi për shtetin palestinez

Gallup mati gjithashtu qëndrimin e amerikanëve lidhur me krijimin e një shteti palestinez. Nuk ka ndryshime të rëndësishme krahasuar me vitet e fundit: gjashtë në dhjetë të rritur mbështesin krijimin e një shteti të pavarur palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gaza – një shifër pothuajse e qëndrueshme që nga viti 2020.

Konteksti i ndryshimit

Ndryshimet në perceptim pasuan atë që është konsideruar gjerësisht si reagim disproporcional i Izraelit ndaj sulmit të 7 tetorit, ku rreth 1.200 persona u vranë në Izrael dhe më shumë se 250 u morën peng.

Izraeli ka vrarë mbi 72.000 persona në Gaza, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka shkatërruar pothuajse të gjithë enklavën.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Po ashtu, kjo ka nxitur Afrikën e Jugut të paraqesë një padi për gjenocid kundër Izraelit në GJNP, së cilës i janë bashkuar disa vende të tjera.

Megjithatë, ndonëse mbështetja për Izraelin ra më shpejt pas luftës, raporti thekson se tendenca rënëse kishte nisur që nga viti 2019, për shkak të “efektit kumulativ të ndryshimeve graduale në qëndrimet e amerikanëve që prej asaj kohe”. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button