Sondazh: 58 për qind e gjermanëve thonë se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit është e pajustifikuar

Shumica e gjermanëve e shohin sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit si të pajustifikuar, dhe besimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner ka rënë në nivelet më të ulëta historike, sipas një sondazhi të ri nga transmetuesi publik ARD, transmeton Anadolu.
Sondazhi zbuloi se 58 për qind e gjermanëve e shohin sulmin si të pajustifikuar, krahasuar me 25 për qind që besojnë se ishte i justifikuar. Përveç kësaj, 75 për qind e të anketuarve shprehën shqetësim se konflikti mund të përhapet në vende të tjera.
Besimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdoi rënien e tij të ndjeshme, me 78 për qind të gjermanëve që thonë se SHBA-së nuk mund t’i besohet si partner. Vetëm 15 për qind e shohin Amerikën si të besueshme – shifra më e ulët e regjistruar në 20 vjet sondazhesh.
Izraeli pati të njëjtën situatë, me vetëm 17 për qind të gjermanëve që e konsiderojnë atë një partner të besueshëm.
Sondazhi u krye nga Infratest dimap, një institut gjerman i kërkimit politik, nga 2 deri në 4 mars, duke intervistuar më shumë se 1.300 njerëz përfaqësues të popullsisë gjermane. Rezultatet u publikuan të enjten vonë.
Studimi zbuloi gjithashtu “ankthe” më të gjera, me gjermanët që e shohin gjithnjë e më shumë peizazhin politik global si kërcënues. Situatën aktuale botërore 77 për qind e gjermanëve e përshkruan si kërcënuese ose shumë kërcënuese – një ndjenjë e ndarë nga mbështetësit e të gjitha partive të përfaqësuara në parlament.
Në politikën botërore, 85 për qind e gjermanëve besojnë se “ligji i më të fortit” po merr gjithnjë e më shumë përparësi mbi ligjin ndërkombëtar, një rritje prej 4 për qind që nga janari. Përveç kësaj, 80 për qind shprehën shqetësim se konflikti i Iranit mund të prishë rëndë tregtinë ndërkombëtare, duke përfshirë furnizimet me naftë, dhe të ketë pasoja negative për ekonominë.



