Sllovenia bëhet vendi i parë evropian që ndalon tregtinë e armëve me Izraelin

Sllovenia është bërë vendi i parë evropian që ndaloi importin, eksportin dhe tranzitin e armëve dhe pajisjeve ushtarake drejt dhe nga Izraeli, transmeton Anadolu.

Zyra e kryeministrit njoftoi se vendimi, i iniciuar nga kryeministri Robert Golob, u konfirmua gjatë një seance qeveritare më herët gjatë ditës.

Sipas politikës së re, të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake të dërguara nga Sllovenia në Izrael, të sjella nga Izraeli ose të transportuara përmes territorit slloven janë të ndaluara.

Ky veprim vjen mes kritikave në rritje për krizën humanitare në Gaza.

Qeveria sllovene tha se vendimi u nxit nga pamundësia e Bashkimit Evropian (BE) për të miratuar masa konkrete ndaj Izraeli.

“Për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe përçarjes, BE-ja aktualisht nuk është në gjendje ta përmbushë këtë detyrë”, tha qeveria sllovene.

Duke iu referuar situatës në Gaza, qeveria dënoi mohimin e qasjes humanitare.

“Rezultati i kësaj është i turpshëm. Njerëzit në Gaza po vdesin sepse ndihma humanitare u mohohet sistematikisht. Ata po vdesin nën rrënoja, pa qasje në ujë të pijshëm, ushqim dhe kujdes shëndetësor”, theksoi qeveria.

“Ky është një mohim i plotë i qasjes humanitare dhe një parandalim i vetëdijshëm i kushteve themelore për mbijetesë. Në rrethana të tilla, është detyrë e çdo shteti përgjegjës të veprojë, edhe nëse kjo do të thotë të bëjë një hap përpara të tjerëve”, thuhet më tej.

Gjithashtu theksohet se qeveria në javët e ardhshme do të përgatisë disa masa të tjera kombëtare kundër qeverisë aktuale izraelite, “veprimet e së cilës përbëjnë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 60.200 palestinezë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Të hënën, grupet izraelite të të drejtave B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor të territorit.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button