Skënderbeu pa “izma”

Shkruan: Ismail SINANI
Në diskursin e përgjithshëm, thuajse në çdo shoqëri e kohë është krijuar një shprehi absurde se e vërteta është “diku në mes”. Kjo qasje gjeometrike është, pak a shumë, si çështja e orës së prishur, e cila, megjithëse e ndalur, në kuadrin e saj 24-orësh të paktën dy herë e tregon kohën e saktë.
Në këtë sfond, në të shumtën e rasteve, përpiqet të trajtohet figura e Skënderbeut. Janë disa që e mitizojnë deri në qiell, të tjerë që nuk kursehen në gjuhën që e anatemojnë dhe një kategori e tretë, ata që aktrojnë objektivitetin, duke thënë se e vërteta është “diku në mes” – një qasje sa absurde, aq edhe joshkencore.
Për figurën e Skënderbeut deri më sot janë shkruar mijëra vepra, janë thurur qindra poezi/elozhe, janë gdhendur dhjetëra buste dhe po aq janë derdhur në bronz… e megjithatë, debati vazhdon.
Revista “Shenja”, si gjithmonë, edhe kësaj radhe ka bërë përpjekje të sjellë në dritë e të mbledhë njerëz të fushave të ndryshme, të cilët nga këndvështrimi i tyre do të ofrojnë një pasqyrë – jo të re – por sa më objektive.
Që kur e kemi nisur letrën drejtuar autorëve, kemi theksuar se qasja jonë nuk është tifozerike: “Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm i historisë shqiptare, i cili, sa ka shërbyer për unifikimin e kombit, veçmas gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, po aq është (keq)përdorur për qëllime ideologjike: njëherë për të projektuar mbretërinë shqiptare, më pas për të justifikuar luftën kundër klasave”. Po ashtu kemi thënë se, “emri i tij është përdorur gjithashtu sa herë që janë hapur temat e identitetit fetar të shqiptarëve. Dikush madje i ka dhënë atribute ‘kryqtarësh’, ndërsa politikanët bashkëkohorë e kanë përmendur shpesh emrin e tij edhe në kontekstin e orientimit strategjik mes Oksidentit dhe Orientit.”
Kjo është edhe arsyeja se pse këtë numër të revistës “Shenja” ia kushtojmë pikërisht figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke e vështruar para së gjithash në dimensionin historik, gjithnjë duke synuar një qasje objektive shkencore, pa patetizma, pa mitizime e hiperbolizime dhe sigurisht me një gjuhë të përzgjedhur që nuk lëndon asnjë komunitet tjetër.
Por, përveç dimensionit historik, në përmbajtjen e këtij botimi të “Shenjës” kemi theksuar se, “janë të dobishme edhe interpretimet sociologjike, politike, ushtarake, kulturore, filozofike, madje edhe antropologjike të figurës së Skënderbeut. Po ashtu, të vyera janë edhe shkrimet që kanë të bëjnë me trajtimin e tij në art, qoftë kjo në letërsi, pikturë, teatër, film apo muzikë”.
Penat që kanë pranuar të kontribuojnë në këtë iniciativë e kanë shpalosur, secili nga këndvështrimi i vet, se si ata e shohin këtë figurë nga prizmi i opusit të tyre intelektual.
S’do mend se revista as që pretendon të zëvendësojë veprat madhore si ajo e Aurel Plasarit “Skënderbeu, një histori politike”, apo ajo e Oliver Jens Schmitt-it “Skënderbeu”, apo “Historia e Skënderbeut” e priftit shkodran Marin Barleti, shkruar në latinisht para pesë shekujsh.
Jemi të vetëdijshëm edhe për poemën epike të Naim Frashërit, të shkruar më 1898, si një burim i fuqishëm kulturor-historik. Nuk i dalim përpara as Samiut (Frashërit), ndërkohë që thellë në shpirt jemi të vetëdijshëm se në epokën tonë jeton ndoshta njohësi më i mirë i Mesjetës, Doan Dani, i cili përmes hulumtimeve të tija e ka nxjerrë në dritë periudhën më të errët të asaj kohe. Përballë një pune të tillë kolosale, ne flasim me pietet.
Por, në shkencë asnjëherë nuk mund të thuhet se është thënë fjala e fundit – veçanërisht në shkencat humane. Skënderbeu, që nga paraqitja e tij në skenë, pa dyshim se ka qenë një figurë që e ndan Mesjetën në dy periudha: para dhe pas tij. Në kohë të ndryshme është analizuar dhe promovuar për nevojat e epokës. Ashtu si në komunizëm, kur është paraqitur si një “Lenin i Mesjetës”, sot nga qarqe të caktuara vijon të promovohet si “Atlet i Krishtit”, njësoj si pesë shekuj më parë, kur Venediku, Napoli dhe Papa thurnin plane të reja kryqëzatash.
Megjithatë, ai duhet parë në sfondin e duhur – pa emocionet e studiove televizive dhe pa zhurmën e absurdit.
Mitet janë për masat, politika është për parlamentet, kurse shkenca është për katedrat. Ajo nuk duron emocione, nuk pranon paketime, nuk u përshtatet hatërmbetjeve. Ajo flet me gjuhën e fakteve.
Nisur nga kjo që u tha më lart, lexuesit e revistës do të kenë mundësi të lexojnë qasje politike, gjeopolitike, historike, filozofike… madje edhe mitologjike.
Thjesht, deshëm të vendosim një “shenjë të Skënderbeut” – nëse ia kemi dalë… do ta gjykojë vetë lexuesi.
Lexim të këndshëm!
(Editoriali i revistës “Shenja”)