Skenari i tmerrit! Kur ndërpritet rryma elektrike në mes të operacionit në spital, kur trafiku bllokohet dhe në supermarket duhet të përdorësh dritën e celularit

Operatori i rrjetit spanjoll REE njoftoi, se janë rikthyer pothuajse të gjitha furnizimet me energji elektrike. Sipas operatorit kombëtar, edhe në Portugali shumica e familjeve kanë energji elektrike. Rrjeti i energjisë është “i stabilizuar në mënyrë të përkryer”, njoftoi operatori portugez REN të martën në mëngjes. “Të gjitha pajisjet komutuese të rrjetit kombëtar të transmetimit janë rivënë në punë,” tha një zëdhënës i REN për AFP. “Mund të konfirmojmë se rrjeti është stabilizuar në mënyrë perfekte.”
Shkaku i ndërprerjes nga pasditja e së hënës mbetet i paqartë. Në rrjetet online qarkulluan zëra për një sulm të mundshëm kibernetik. Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, i cili vjen nga Portugalia, kishte deklaruar më parë në shërbimin online X se aktualisht nuk kishte asnjë provë për një sulm kibernetik. Kryeministri i Portugalisë Luís Montenegro u shpreh më vonë, se shkaqet e ndërprerjes së energjisë gjendeshin në Spanjën fqinje. Sipas tij, origjina e ndërprerjes së energjisë elektrike është “ndoshta në Spanjë”. Kryeministri portugez foli para gazetarëve të hënën në mbrëmje për një situatë “serioze dhe të paprecedentë”. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez u shpreh se “asnjë hipotezë” në lidhje me shkaqet e ndërprerjes masive nuk është përjashtuar. Të gjitha shkaqet e mundshme janë duke u analizuar, u tha ai gazetarëve të hënën në mbrëmje. Për shkak të rrezikut të “disinformatave” të mundshme, ai paralajmëroi publikun të mos merren me “spekulime”.
Ndër të tjera dje u ndërpre trafiku ajror drejt dhe nga Madridi, Barcelona dhe Lisbona si dhe trafiku hekurudhor në të gjithë rrjetin spanjoll. Ndërprerja e energjisë ka prekur edhe Francën jugperëndimore dhe për një kohë të shkurtër disa pjesë të Marokut. Operatori francez i rrjetit elektrik RTE bëri të ditur, se Franca kishte furnizuar me “deri në 2000 megavat” energji elektrike të dy vendet e prekura të hënën në mbrëmje. Franca rriti ndihmën e saj për Spanjën fqinje nëpërmjet linjave të energjisë elektrike “që furnizojnë Katalonjën dhe rajonin bask spanjoll nga Franca”, u tha në një deklaratë. Sipas RTE, familjet në pjesën baske franceze u prekën nga ndërprerja e energjisë elektrike për “disa minuta”.