Skandali i Onkologjisë: Komisioni Hetimor po ecën ngadalë drejt konkluzioneve

Është gjithnjë e më e sigurt se deputetët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk do të gjejnë gjuhë të përbashkët në Komisionin Hetimor për skandalin e Onkologjisë. Konkluzionet ende nuk janë arritur, por deri më tani deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së nuk mund të dalin në qëndrim të përbashkët për përgjegjësinë e mundshme politike. Në seancë nuk mund të dëgjohet asnjë qëndrim për të cilin shumica e deputetëve bien dakord dhe Komisioni Hetimor kthehet në një arenë sherresh politike, raporton SlobodenPecat,transmeton Alfax.
Deputetja Daniela Markovska nga LSDM javën e kaluar para Komisionit Anketues tha se nuk mund të thuhet se ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe mban përgjegjësi politike, siç sugjeruan disa nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndër të cilët më i zëshmi ishte Antonio Milloshoski.
“Në periudhën e Venko Filipçes janë sjellë shumë ilaçe të cilësisë së lartë dhe tani ai është fajtor dhe se ka pasur ndonjë qëllim? Kjo terapi biologjike kolegë, shpëton jetë. Disa prej jush janë mjekë. Është thënë shumë qartë se terapia biologjike është sjellë për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë atëherë dhe më parë ka qenë në sasi të vogla. Në këtë klinikë kemi qenë dëshmitarë se 30 vite më parë është bërë punë ilegale. Pacientët tanë shkuan jashtë shtetit për terapi biologjike, dhanë shumë para. Filipçe ka bërë shumë në shëndetësi dhe ka sjellë barna cilësore”, tha Markoska.
Deputeti Antonio Milloshoski sot tha se do të kërkojë që Komisioni Hetimor të mbajë edhe 30 ditë të tjera. Ai përsëriti edhe një herë se sipas tij ish-ministri i shëndetësisë duhet të mbajë përgjegjësi politike për skandalin e Onkologjisë.
“Ministri i Shëndetësisë në bazë të nenit 285 të Ligjit për Kujdesin Shëndetësor ka pasur obligim që të mbikëqyrë Klinikën e Onkologjisë dhe nuk e ka kryer atë mbikëqyrje as edhe një herë. Prandaj ai mban përgjegjësi politike sepse nuk i ka kryer obligimet ligjore dhe Filipçe ka mundësuar që skandali të ndodhë, ose të paktën të zgjasë më shumë. Po të kishte mbikëqyrur do të ishte parandaluar skandali” tha Milloshoski.
Deputeti Nenad Kociq nga LSDM, nga ana tjetër, theksoi se deputetët kanë pasqyrë të plotë se çfarë ka ndodhur në bazë të asaj që kanë deklaruar dëshmitarët e Komisionit Hetimor.
“Kemi mjaftueshëm materiale që mund t’i përdorim. Ne respektojmë mendimin e secilit anëtar të Komisionit Hetimor, por si anëtarë të barabartë do të japim konkluzionet tona për të cilat do të kërkojmë mbështetjen e gjithë Komisionit Hetimor” tha Kociq.



