Skandal i ri në administratën Trump: Hegseth e mori gruan në takime me ushtarakë të huaj

Sekretari amerikani i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka sjellë gruan në dy takime me kolegë të huaj ushtarakë, ku janë diskutuar informacione të ndjeshme.
Ish-producentja e Fox News, Jennifer Hegseth, nuk është e punësuar në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, kanë thënë zyrtarët.
Siç raporton The Wall Street Journal, ajo ka marrë pjesë në takimet me ministrin britanik të Mbrojtjes, John Healey, si dhe në selinë e NATO-s në Bruksel për bisedime mbi Ukrainën.
Disa nga zyrtarët e pranishëm në takime nuk e kanë ditur se kush ishte Jennifer Hegseth, ndërsa të tjerë janë habitur nga prania e saj, por takimet janë zhvilluar pa kundërshtime.
Ky raport vjen në mesin e shqetësimeve për mënyrën se si Hegseth trajton informacionet e ndjeshme dhe sekrete. Së fundmi, është zbuluar se ai ka dërguar një mesazh mbi orën e fillimit të një sulmi të planifikuar kundër Huthëve në Jemen më 15 mars, si dhe detaje të tjera për valët e ardhshme të sulmeve ajrore amerikane, sipas një fotoje të një bisede në tekst të publikuar nga The Atlantic.
Hegseth e ka mohuar disa herë se ka shpërndarë plane lufte, ndërsa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po përpiqet të përballojë pasojat e zbulimit se redaktori kryesor i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, ishte përfshirë në një bisedë grupore në aplikacionin e mesazheve të koduara Signal me këshilltarët më të lartë të Trumpit për sigurinë kombëtare, për të koordinuar ofensivën në Jemen.
The Wall Street Journal raportoi të enjten se sulmet ishin bazuar në të dhëna të inteligjencës izraelite, të marra nga një burim njerëzor në Jemen