S’ka qetësi! Garda Revolucionare rrëzon avionin izraelit F-16

“Një avion luftarak armiqësor F-16 që i përkiste regjimit sionist u godit në orën 3:45 të mëngjesit në Iranin qendror”. Kështu deklaroi Trupa e Gardës Revolucionare Iraniane në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror. Ushtria izraelite, nga ana e saj, kishte njoftuar më parë se një raketë tokë-ajër ishte qëlluar drejt njërit prej avionëve të saj gjatë “aktivitetit operativ” në Iran, pa specifikuar llojin. Ajo shtoi se “nuk është shkaktuar asnjë dëm në avion”. Nuk dihet nëse ky ishte i njëjti incident.
Mediat iraniane transmetuan gjithashtu një imazh, autenticiteti i të cilit nuk mund të verifikohej, që tregonte tym në qiell, duke pretenduar se një tjetër avion ishte shënjestruar, pa specifikuar llojin e tij ose nëse i përkiste Izraelit apo Shteteve të Bashkuara. Pamje të tjera të pakonfirmuara tregojnë një avion luftarak që rrëzohet.
Sakaq, ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur gjatë natës objektet e përdorura për të prodhuar raketa balistike nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran. “Si pjesë e këtij operacioni, u vunë në shënjestër objektet e përdorura për të prodhuar komponentë kyç për zhvillimin e raketave balistike, të cilat i përkasin aparatit të sigurisë së regjimit iranian”, shkroi ushtria izraelite në një deklaratë, duke iu referuar një “operacioni në shkallë të gjerë”.
Ndër zonat e goditura ishin një kompleks i dedikuar për prodhimin dhe zhvillimin e komponentëve të raketave balistike, një strukturë depozitimi dhe një strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes iraniane përgjegjëse për prodhimin e karburantit të raketave. “Këto sulme e zvogëlojnë ndjeshëm aftësinë e regjimit terrorist iranian për të vazhduar prodhimin e komponentëve kryesorë të raketave balistike në këto objekte”, tha ushtria izraelite.



