Siljanovska-Davkova: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një investim për sigurinë e Evropës

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova tha se garancia më e madhe për sigurinë e tyre është anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Siljanovska-Davkova u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend.

Pas takimit, Siljanovska-Davkova dhe Rutte mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Ajo e vlerësoi vizitën e Rutte-s si një konfirmim të qartë të rëndësisë së solidaritetit aleat dhe përgjegjësisë së përbashkët, duke kujtuar se ata po përballen me pasiguri globale, tensione gjeopolitike, luftë në tokën evropiane, kërcënime kibernetike, kërcënime hibride dhe kërcënime nga përhapja e dezinformimit.

“Unë besoj fuqimisht se NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por se është gjithashtu një bashkësi vlerash të përbashkëta, përgjegjësie të përbashkët, por gjithashtu, më e rëndësishmja, e një vizioni të përbashkët për një të ardhme të sigurt”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo tha se kontribuojnë në mënyrë aktive në mbrojtjen e pozicionit të NATO-s, përmes grupeve luftarake në Letoni, Bullgari, Rumani, misionit të KFOR-it në Kosovë dhe misionit Althea të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

“Lidhur me Ukrainën, ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë, me besim në një marrëveshje të mundshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha presidentja e Maqedonisë së Veriut.

Siljanovska-Davkova shprehu pritjen e saj që në samitin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2026 në Ankara, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke patur parasysh ngjarjet dhe sfidat aktuale.

“Investimi dhe garancia më e madhe jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për sigurinë e Evropës në tërësi është anëtarësimi ynë dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Siljanovska-Davkova.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button