Siljanovska: Bilateralizimi është rrezik real për zgjerimin e BE-së
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dje ka pasur një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vend, të organizuar nga ambasadori hungarez, Andras Klein.
Në një atmosferë miqësore u diskutua për ngjarjet dhe proceset aktuale të brendshme, rajonale, evropiane dhe botërore.
Theksi u vu në problemet dhe pengesat e Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane dhe nevojën për zgjidhje kreative për tejkalimin e mosmarrëveshjes bullgaro-maqedonase në frymën e miqësisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke respektuar vlerat dhe parimet themelore të BE-së.
Presidentja ripohoi besimin, angazhimin dhe vendosmërinë e saj të thellë për të zbatuar axhendën e reformave në përputhje me kriteret e Kopenhagës, me një partneritet aktiv me BE-në.
Ajo theksoi gjithashtu se bilateralizimi dhe precedentët janë një rrezik real për zgjerimin.