Si reaguan partitë politike për arrestimin e Drin Ahmetit?!

Menjëherë pas arrestimit të Drin Ahmetit nga policia për shkak se në makinën e tij kishte bartur mjete piroteknike kanë reaguar partitë politike në vend, shkruan Alfax.mk
Nga partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE pyetën nëse “mjetet piroteknike të kontrabanduara nga nipi i tij Drini a janë edhe evropiane?
“Duke marrë parasysh faktin se Ali Ahmeti është nga “koalicioni evropian”, dhe sonte milioneri Drin Ahmeti, përveç blerjes së Soravia-s, mësojmë se ka bërë kontrabandë fishekzjarre, do të pyesnim nëse mjetet piroteknike ishin evropiane, nga cili shtet evropian ishin sjellë, nëse tingulli që lëshojnë është europian dhe kanë vënë në dijeni Komisionin Europian për këtë reformë të tyre me mjete piroteknike”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Nga partia Alternativa, kanë thënë se i arrestuari Drin Ahmeti dhe xhaxhai i tij Ali Ahmeti janë sinonim të krimit dhe korrupsionit.
“Ashtu siç e kemi thënë qëmoti, dardha bie nën dardhë. Krimi i mbjellë nga xhaxhai dhe babai, tash i ha edhe fëmijët e tyre. Drin Ahmeti është viktima e pasionit të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, për pasuri dhe para. Nëse do të funksionojë shteti ligjor, Drin Ahmeti duhet të dënohet me disa vite burg.
Për qytetarët që akoma kanë dilema, Soravia, Drin Ahmeti dhe Ali Ahmeti janë sinonime të krimit, korrupsionit dhe kontrabandës, që krejt këtë anë të errët të tyre mundohen ta mbulojnë me fjalor europian, të cilin – përveç lidershipit të Aleancës për Shqiptarët – askush tjetër nuk e beson”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Nga Lëvizja BESA, kanë thënë se pushteti ka vërbuar Ali Ahmetin dhe familjen e tij.
“Ky është skandal i pafalshëm. Kjo tregon se morali dhe etika tek këto pushtetarë paska ikur moti.
Kërkojmë që MPB dhe organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre deri në fund. Përgjegjësia është e pashmangshme. Nëse nuk ka përgjegjësi atëherë do të thotë se edhe krerët e institucioneve përkatëse bashkëpunojnë me Drin dhe Ali Ahmetin në kontrabandë”, qëndron në reagimin e BESËS. /Alfax.mk



