Si po synohet kolonizimi i Gazës nga hebrenj të paudhë

Nga Francesca Mannocchi, La Stampa

Shtëpitë mbërrijnë përpara se të ndërtohen vërtet. Ky është paradoksi i kolonisë së re  pranë Mash’en, ku dhjetë kontenierë po krijojnë bërthamën e një vendbanimi të paligjshëm hebre në tokat palestineze.

Kjo prani, paraprin formën përfundimtare dhe e përgatit atë, duke u ofruar forcave politike një imazh të prekshëm të synimeve të tyre: shndërrimin e një premtimi ideologjik në një skenë të zakonshme të përditshmërisë.

Adhar Pantion, nënë e tetë fëmijëve që la shtëpinë e saj komode për një barakë, është pjesë e “Pionierëve të Gazës”. Kjo lëvizje e djathtë koloniale organizon familje që të shërbejnë si pararojë konkrete.

Qëllimi është t’i tregojnë qeverisë se ekziston një grup njerëzish gati për t’u ngulitur në Rripin e Gazës, duke fshirë çdo mundësi për bisedime apo të drejta të palestinezëve mbi atë tokë.

Vizioni i këtyre kolonëve është radikal: ata e shohin tokën si një trashëgimi që thjesht duhet të ndryshojë popull. Adhar flet hapur për dëbime të detyruara të palestinezëve drejt vendeve afrikane, duke e konsideruar këtë si një mundësi që qeveria Netanyahu ende nuk ka pasur guximin ta zgjasë deri në fund.

Në sytë e saj, nuk ka fëmijë vendas, por vetëm “terroristë të ardhshëm”, një retorikë dehumanizuese që legjitimon dhunën ndaj popullsisë autoktone. Lufta e nisur më 7 tetor dhe konflikti me Iranin, i kanë dhënë këtij programi një kornizë të re historike.

Ajo që dikur ishte një ëndërr e çmendur e një minoriteti ekstremist, tani po prezantohet si një zgjedhje strategjike për sigurinë kombëtare. Lëvizja koloniale po shfrytëzon traumën e luftës për të argumentuar se vetëm rikthimi i kolonive civile mund të garantojë mungesën e kërcënimeve në të ardhmen.

Brenda këtij vizioni, lufta shihet thjesht si një mjet për “përgatitjen e hapësirës”: ajo shkatërron, zbraz, rrethon dhe e ridizenjon territorin. Teherani, Hamasi dhe Gaza futen në të njëjtin kuadër kërcënimi, duke lejuar që ri-kolonizimi të pushtojë hapësirë në diskursin qeveritar, duke u paraqitur jo më si një akt fetar, por si një domosdoshmëri ushtarake për mbijetesë.

Strategjia bazohet në erozionin e alternativave. Duke e mbajtur territorin në një gjendje të vazhdueshme lufte dhe paqartësie politike, bëhet e pamundur rindërtimi i një qeverisjeje sovrane palestineze.

Çdo ngërç diplomatik i jep frymëmarrje këtij projekti, ndërsa bota mësohet gradualisht ta shohë tokën si një hapësirë të amputuar dhe të ndashme në segmente sipas interesave izraelite.

Forca e këtyre kolonëve ekstremistë nuk qëndron te numrat, por te “gramatika e kolonizimit”. Gjithçka fillon me një tendë, një gjenerator dhe një rrugë të pashtruar me asfalt, e cila më vonë merr mbrojtje të armatosur dhe njohje nga shteti izraelit.

Atje ku e drejta ndërkombëtare sheh një pushtim të paligjshëm dhe shkelje të të drejtave të njeriut, kjo lëvizje sheh “inkubacionin” e një topografie të re mbi rrënojat e tjetrit. Në fund, ky proces e shndërron kontenierin e thjeshtë në një miniaturë të shtetit të ardhshëm dhe familjen e ngjeshur brenda tij në tullën e parë të një doktrine territoriale.

Sipas kësaj logjike fashiste, Gaza dhe Bregu Perëndimor, shfaqen si toka që “presin” t’u merren pronarëve të tyre, ndërsa lufta dhe politika sigurohen që terreni të jetë i pastruar dhe gati për kolonët e radhës. /tesheshi.com/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button