Si po e shfrytëzon Izraeli propagandën amerikane për ta “riformatuar” gjenocidin në Gaza?

Izraeli ka kontraktuar të paktën tre kompani amerikane të marrëdhënieve me publikun (PR) për të përmirësuar imazhin e tij online dhe për të forcuar mbështetjen në mesin e të djathtës së krishterë në SHBA, sipas të dhënave të regjistruara në Ligjin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Sipas dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, Ministria izraelite e Punëve të Jashtme ka punësuar kompanitë Bridges Partners, Show Faith by Works (një agjenci e krishterë PR) dhe Clock Tower X, përmes grupit evropian Havas Media.
Të gjitha këto kompani janë angazhuar për të ndihmuar Izraelin të rindërtojë imazhin e tij në internet dhe të rikthejë mbështetjen e humbur midis të rinjve të djathtë dhe evangjelikëve amerikanë, mbështetje që është zbehur ndjeshëm për shkak të luftës së tij gjenocidale në Gaza, ku janë vrarë më shumë se 68,000 palestinezë.
Një studim i Qendrës së Studimeve të Al Jazeera-s në maj tregoi një fushatë të koordinuar propagandistike në rrjetet sociale për të ndryshuar perceptimin global të luftës në favor të Izraelit që nga tetori 2023.
Megjithatë, ndërsa mediat tradicionale amerikane e mbuluan konfliktin në mënyrë pro-izraelite, në rrjetet sociale Izraeli po humbte terren, përballë videove virale që tregonin masakrat dhe shkatërrimin masiv në Gaza. Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka quajtur rrjetin social “një armë në fushatën e Izraelit për të ruajtur mbështetjen amerikane”, duke përshëndetur blerjen e TikTok-ut nga miliarderë pro-izraelitë si “blerjen më të rëndësishme të dekadës”.
“Show Faith by Works” – propaganda në emër të Zotit
Kjo kompani është angazhuar nga Izraeli për të drejtuar një fushatë prej 3.2 milionë dollarësh që synon të krijojë “asociacione pozitive me kombin e Izraelit” në kishat amerikane dhe të portretizojë “popullsinë palestineze si ekstremiste”.
Ajo ka premtuar se do të realizojë “fushatën më të madhe të Geofencing dhe Targetimit të Krishterë në historinë e SHBA-së”, duke ndjekur përdoruesit e telefonëve që vizitojnë universitete e kisha të krishtera, për t’u dërguar mesazhe pro-izraelite.
Në plan është edhe një eksperiencë udhëtuese “10/7”, që do të prezantohet në kolegje e kisha, përmes VR headset-ëve, ekraneve interaktive dhe materialeve propagandistike, për të rikrijuar sulmin e 7 tetorit 2023.
Kompania ka listuar edhe “zëra të famshëm të krishterë” si aktorët Chris Pratt dhe Jon Voight (përkrahës i zjarrtë i Trump-it) si të gatshëm për të qenë pjesë e fushatës.
“Clock Tower X” – manipulimi përmes inteligjencës artificiale
Kjo kompani ka marrë detyrën të ndërveprojë me brezin Z (Gen Z) përmes platformave si YouTube, TikTok dhe Instagram, dhe të ndikojë sistemet e inteligjencës artificiale si ChatGPT, Gemini dhe Grok për të “luftuar antisemitizmin” – një term që Izraeli e përdor për të heshtur kritikën ndaj luftës së tij në Gaza.
Sipas dokumenteve, kompania do të “ndotë” hapësirën informative me përmbajtje pro-izraelite për të ndikuar rezultatet e kërkimeve dhe modelet gjuhësore të AI-së, një proces që ekspertët e quajnë “RAG poisoning” – manipulim i të dhënave që përdorin sistemet inteligjente.
Kompania drejtohet nga Brad Parscale, ish-këshilltar i fushatës së Trump-it, dhe bashkëpunon ngushtë me rrjetin e krishterë konservator Salem Media, i cili ka lidhje të drejtpërdrejta me Donald Trump Jr. dhe Lara Trump.
“Bridges Partners” – influencuesit e paguar fshehurazi
Kjo kompani ka planifikuar të përdorë 14 deri 18 influencues anonimë amerikanë, të cilëve u paguan rreth 7,000 dollarë për postim për të shpërndarë përmbajtje pro-izraelite në rrjetet sociale.
Megjithatë, pasi dokumentet u bënë publike, meme-t ironike dhe etiketimet #7000perpost shpërthyen në internet, me përdorues që akuzojnë profile të ndryshme për “propagandë të blerë nga Izraeli”.
Kjo anonimato mund të jetë edhe e paligjshme sipas ligjit amerikan FARA, nëse identitetet e influencuesve nuk bëhen publike.
Një betejë e humbur për perceptimin publik
Edhe pse Tel Avivi ka investuar miliona dollarë në këto fushata, ekspertët janë skeptikë për suksesin e tyre.
“Asnjë e dhënë artificiale nuk mund të mbulojë realitetin e gjenocidit në Gaza,” tha Marc Owen Jones, ekspert i dezinformimit në Universitetin Northwestern në Katar.
“Sidoqoftë, ajo mund të krijojë mjegull konfuzioni, duke e paraqitur konfliktin si më ‘të balancuar’ dhe Izraelin si më ‘të arsyeshëm’.”
As Bridges Partners, Clock Tower X, Show Faith by Works, as Ministria e Jashtme e Izraelit apo Havas Media Group nuk kanë pranuar të komentojnë për rastin. /Al Jazeera/



