Si përparon shoqëria – përgjigje nga këndvështrimi islam

Shkruan: Mesut Idriz

Në diskursin bashkëkohor, kur flitet për zhvillimin e shoqërisë, shpesh nënkuptohet ai ekonomik, risitë në teknologji ose modernizimi institucional. Ndërsa në traditën intelektuale islame, qytetërimi apo zhvillimi shoqëror është përtej arritjeve të jashtme. Me qytetërim, nuk nënkuptohet vetëm struktura e shoqërisë, por një rend i përbërë nga botëkuptimi, sistemi i vlerave dhe mënyra e jetesës.

Ky artikull ka për qëllim që nga këndvështrimi islam, të rishqyrtojë konceptin e ndryshimit, zhvillimit dhe përparimit. Autori thekson se ndryshimi jo domosdoshmërisht nënkupton përparimin. Zhvillimi kuptimplotë duhet t’i përfshije dimensionin material dhe shpirtëror dhe të udhëhiqet nga parime etike.

Jetëgjatësia e zhvillimit shoqëror shihet në momentin kur përparimi teknologjik dhe institucional bien në harmoni me sistemin e vlerave të saj. Në epokën e globalizimit dhe ndryshimeve të shpejta, ky këndvështrim na kujton që e ardhmja e qytetërimit nuk varet vetëm nga arritjet e jashtme, por edhe nga mënyra si njerëzimi e kupton qëllimin, përgjegjësinë dhe rendin e jetës.

Në kontekstin islam, fjala _dīn_ në përgjithësi përdoret për të shprehur  një ”mënyrë jetese” që përfshin besimin, etikën dhe jetën shoqërore. Prandaj, _din_-i nuk është i ndarë nga zhvillimi i qytetërimit, por i lidhur ngushtë me të përmes vlerave, dijes dhe jetës shoqërore në praktikë. Nga ky këndvështrim, zhvillimi i qytetërimit nuk nënkupton vetëm rritje ekonomike apo përparim teknologjik, por lidhet ngushtë edhe me mënyrën si njerëzimi e kupton të vërtetën, rendin dhe moralin. Të kuptuarit e kësaj marrëdhënieje na ndihmon të rimendojmë kuptimin e vërtetë të koncepteve “ndryshim”, “zhvillim” dhe “përparim” në botën bashkëkohore.

Botëkuptimi islam: Si e sheh Islami tërësinë?

Në traditën islame, botëkuptimi, nuk është thjesht sistem abstrakt besimi, por mënyrë gjithëpërfshirëse e të parit të realitetit. Ai ndikon në mënyrën si njerëzit e perceptojnë universin, dijen, shoqërinë dhe jetën, dhe i jep force të thellë aspekteve të ndryshme të jetës individuale dhe kolektive.

Ky botëkuptim ndërtohet mbi një parim qendror — _teuhidin_ (Njëshmërinë e Zotit). Ky parim nuk është vetëm bazë teologjike, por edhe perspektivë filozofike unifikuese. Ai thekson se të gjitha gjërat në univers ekzistojnë brenda të njëjtit rend të shenjtë, dhe se nuk ka ndarje absolute mes shpirtit dhe materies, individit dhe shoqërisë, laikes dhe të shenjtës; përkundrazi, ato duhet të ruajnë harmoninë dhe ekuilibrin. Për këtë arsye, në mendimin islam, zhvillimi i qytetërimit nuk ka të bëjë vetëm me institucionet dhe ekonominë, por edhe me mënyrën si njerëzimi e ruan marrëdhënien e tij me të vërtetën. Kur kjo marrëdhënie neglizhohet, shoqëritë shpesh përjetojnë konfuzion moral dhe çekuilibër shpirtëror.

Sfidat bashkëkohore: Nga jashtë dhe nga brenda

Në botën bashkëkohore, sistemi i vlerave i qytetërimit islam përballet me sfida të shumta. E para është presioni nga mjedisi i jashtëm. Tendenca e përhapur e sekularizimit në shoqërinë moderne gradualisht i largon vlerat shpirtërore nga jeta publike. Kriteret për vlerësimin e suksesit priren gjithnjë e më shumë drejt arritjeve materiale, efikasitetit teknik dhe interesave personale, ndërsa etika tradicionale dhe kuptimi shpirtëror margjinalizohen në mënyrë të vazhdueshme. Në një mjedis të tillë, njerëzit nisin të kërkojnë qëllimin e jetë në çështje utilitare, dhe kornizat e vlerave shekullore nisin të gërryhen.

Njëkohësisht, disa mendimtarë theksojnë se edhe brenda vetë shoqërisë islame ka çështje mbi të cilat duhet reflektuar. Një temë e rëndësishme është rënia e _edepit_ (sjelljes së duhur/etikës), siç theksohet në traditë. Në mendimin islam, _edepi_ nuk është thjesht mirësjellje apo normë sjelljeje, por vetëdije për “vendin e duhur” të gjërave. Do të thotë se njerëzit duhet ta respektojnë dijen, ta kuptojnë autoritetin, t’i ruajnë marrëdhëniet shoqërore dhe ta gjejnë pozitën e tyre brenda rendit kozmik. Kur kjo vetëdije dobësohet gradualisht, ekuilibri brenda strukturave shoqërore mund të prishet, duke sjellë çrregullim në udhëheqje dhe kaos në jetën publike. Prandaj, qofshin presione të jashtme apo çekuilibrime të brendshme, të dyja këto, mund ta dobësojnë themelin shpirtëror mbi të cilin mbështetet qytetërimi.

Realiteti dhe e vërteta: E dukshmja dhe e padukshmja

Botëkuptimi islam e sheh realitetin si një tërësi që përfshin si botën e dukshme ashtu edhe dimensionin e padukshëm. Në këtë vizion, shumë koncepte thelbësore të jetës njerëzore si Zoti, shpallja, profetësia, natyra njerëzore, lumturia, dija, edukimi dhe rendi shoqëror, përfshihen brenda të njëjtit kuadër mendor. Zhvillimi i qytetërimit është pikërisht procesi i formimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve harmonike mes këtyre elementeve.

Nga ky këndvështrim, qytetërimi nuk është thjesht grumbullim institucionesh dhe teknologjie, por një kuptim i tërësishëm i asaj se _si _ jetojmë. Ai duhet të transmetohet dhe të rinovohet vazhdimisht përmes edukimit, dijes dhe zakoneve shoqërore.

Nga ndryshimi tek zhvillimi

Në shoqërinë bashkëkohore, “ndryshimi” shpesh konsiderohet si një forcë pozitive. Risia, depërtimet dhe transformimet kuptohen përgjithësisht si tregues të rëndësishëm të përparimit shoqëror. Megjithatë, në traditën intelektuale islame, ndryshimi në vetvete nuk është automatikisht i barabartë me përparimin. Edhe pse ndryshimi është një pjesë e pashmangshme e shoqërisë, duhet të theksojmë se jo çdo ndryshim është i dobishëm.

Transformimi i një shoqërie duhet vlerësuar përmes standardeve morale dhe shpirtërore. Nëse një ndryshim i caktuar i largon njerëzit nga kërkimi i së vërtetës, e dobëson rendin etik, apo e gërmon themelin moral të shoqërisë, atëherë ai ndryshim vështirë se mund të quhet përparim i vërtetë. Prandaj, në mendimin islam, ndryshimi vërtet i vlefshëm duhet ta nxisë rritjen shpirtërore të individit dhe shoqërisë, dhe të mbetet në përputhje me parimet etike të vendosura nga shpallja dhe tradita profetike.

Krahasuar me “ndryshimin”, “zhvillimi” nënkupton një proces më të qëndrueshëm dhe me drejtim të caktuar. Zhvillimi nuk është thjesht zgjerim në shkallë apo rritje sasiore, por tregon përmirësimin gradual të aftësive njerëzore dhe strukturave shoqërore. Në mendimin islam, zhvillimi i vërtetë duhet t’i përfshijë si dimensionin material ashtu edhe atë shpirtëror.

Nga njëra anë, shoqëria duhet ta ngrejë vazhdimisht nivelin e edukimit, kapacitetin ekonomik dhe dijen shkencore; nga ana tjetër, këto përparime duhet t’u shërbejnë qëllimeve më të larta etike, si drejtësia, dhembshuria dhe harmonia shoqërore. Prandaj, zhvillimi nuk është vetëm çështje teknike, por edhe zgjedhje vlerash. Drejtimi i zhvillimit të një shoqërie varet nga mënyra si ajo i kupton qëllimet përfundimtare të jetës njerëzore.

Përparimi i vërtetë

Në diskursin modern, “përparimi” shpesh kuptohet si novacion teknologjik, rritje ekonomike apo modernizim institucional. Megjithatë, mendimi islam na kujton se nëse këto ndryshime nuk sjellin ngritje morale dhe shpirtërore, vështirë se mund të quhen përparim i vërtetë.

Përparimi i vërtetë duhet të nënkuptojë që njerëzimi i afrohet më shumë së vërtetës, e kupton më mirë vendin e tij brenda rendit kozmik dhe është më i aftë për të arritur drejtësinë dhe harmoninë në jetën shoqërore. Me fjalë të tjera, përparimi nuk është vetëm lëvizje përpara, por lëvizje në një drejtim “më të mirë”. Ai kërkon që njerëzimi të vendosë një ekuilibër të nivelit më të lartë mes dijes, moralit dhe organizimit shoqëror.

Themeli i brendshëm i qytetërimit

Nga diskutimi i mësipërm, shihet se në traditën intelektuale islame, zhvillimi i qytetërimit është i pandashëm nga mbështetja në sistemet e vlerave. Kur ky botëkuptim kombinohet me edukimin, dijen dhe institucionet shoqërore, formohet një strukturë shoqërore me koherencë të brendshme. Brenda kësaj strukture, ndryshimi, zhvillimi dhe përparimi nuk janë më koncepte të izoluara, por faza të ndryshme të të njëjtit proces historik.

Prandaj, zhvillimi i qëndrueshëm i qytetërimit nuk varet vetëm nga risitë në teknologji apo reformat institucionale, por kërkon edhe një vizion gjithëpërfshirës të aftë për të integruar shpirtin, etikën dhe zakonet shoqërore.

Çfarë na pret në të ardhmen

Në epokën e sotme të globalizimit dhe zhvillimit të shpejtë teknologjik, shoqëria njerëzore po kalon ndryshime të mëdha. Teknologjitë e reja transformojnë vazhdimisht mënyrën e jetesës, strukturat ekonomike vazhdojnë të riorganizohen dhe sistemet kulturore e të vlerave kalojnë tranzicione komplekse. Në këtë kontekst, rimendimi i themelit shpirtëror të qytetërimit merr rëndësi të veçantë. Perspektiva e tërësishme që ofron tradita intelektuale islame na kujton që qytetërim, nuk janë vetëm arritjet e jashtme, por edhe një kuptim i thellë i qellimit njerëzor dhe përgjegjësisë.

Nëse ndryshimi mund të kombinohet me parime etike, nëse zhvillimi mund t’i shërbejë mirëqenies gjithëpërfshirëse të njerëzimit, dhe nëse përparimi mund ta ngrejë njëkohësisht jetën shpirtërore dhe rendin shoqëror, atëherë zhvillimi i qytetërimit mund të ruajë jetëgjatësinë. Pra e ardhmja e qytetërimit nuk varet vetëm nga teknologjia dhe institucionet, por nga fakti nëse njerëzimi mund ta ruajë vazhdimisht ekuilibrin mes vlerave, kuptimit dhe përgjegjësisë në një botë që ndryshon.

Rreth autorit

MesutIdriz, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, ka përfunduar studimet pasuniversitare dhe doktoraturën në Institutin Ndërkombëtar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (ISTAC), pranë Universitetit Ndërkombëtar Islam të Malajzisë (IIUM). Aktualisht mban titullin profesor i Historisë Krahasuese të Qytetërimeve dhe Qytetërimit Islam, në Departamentin e Historisë dhe Qytetërimit Islam, Kolegji i Arteve, Shkencave Humane dhe Shoqërore, ku ka shërbyer edhe si kryetar departamenti (2018–2023). Që nga viti 2018, ai është gjithashtu drejtor i Fondacionit Ndërkombëtar të Sharxhës për Historinë e Shkencave Arabe dhe Muslimane (SIFHAMS), pranë Universitetit të Sharxhës.

Prof. Idriz ka ligjëruar në disa institucione të arsimit të lartë, ndër to Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (Bosnjë dhe Hercegovinë), Universitetin e Sakarjas (Turqi), si dhe në ISTAC dhe Universitetin Ndërkombëtar Islam të Malajzisë. Ka qenë kryetar i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe themelues e drejtor i Qendrës për Dialog dhe Edukim Ndërkulturor në Universitetin HasanKalyoncu. Përtej botës akademike, ka shërbyer si kryeredaktor i seksionit akademik në shtëpinë botuese MPH GroupPublishing në Kuala Lumpur.

Ka botuar, redaktuar dhe përkthyer vepra të shumta akademike mbi Ballkanin, historinë osmane dhe muslimane, qytetërimin islam dhe historinë e edukimit islam — veçanërisht traditën e ixhazes (diplomës). Ndër librat e tij është Ixhazeja e ‘AbdullahFahimit: Një dokument i rrallë nga tradita e edukimit islam. Veprat e tij janë botuar në shtatë gjuhë: anglisht, arabisht, turqisht, shqip, persisht, frëngjisht dhe malajzisht. Libri i tij më i fundit, i bashkautorësuar, është Stolitë e Lindjes së Mesme: Reflektimi i Islamit në Format dhe Simbolet (botuar në anglisht dhe arabisht). Është gjithashtu bashkëredaktor i vëllimit Islami në Evropën Juglindore: Reflektime nga e Kaluara dhe Perspektiva për të Ardhmen, botuar nga Shtëpia Botuese e Universitetit të Brunei Darussalam (2014).

Përktheu: Rezon Karpuzi

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button