Si njerëzit, politikat dhe biznesi së bashku krijojnë stabilitet?

Shkruan: Endrit Gashi
Stabiliteti në vendet në zhvillim rrallëherë arrihet vetëm me numra. Ai ndërtohet përmes një ekuilibri delikat mes qeverive, njerëzve dhe bizneseve, të cilët ecin bashkë drejt një prosperiteti të përbashkët. Pak individë e mishërojnë këtë kuptim më shumë se Alkida Lushaj, një figurë kryesore në reformat e qeverisjes dhe përfshirjes sociale në Shqipëri.
Si Menaxhere Programi në Fondacionin Westminster për Demokraci, Lushaj administron shumë fonde dhe udhëheq iniciativa që po transformojnë peizazhin e qeverisjes në Shqipëri, dhe po kontribuojnë drejtpërdrejt për stabilitetin e vendit. Ndër kontributet e saj më me ndikim është krijimi i Klubit të Parë Parlamentar për të Rinj në Shqipëri, një forum dialogu i strukturuar që mblodhi së bashku 24 deputetë dhe qindra të rinj. Kjo nismë është aq efektive në uljen e hendekut mes të rinjve dhe vendimmarrësve, saqë më pas është replikuar në Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe në Maldive, një shembull i rrallë i inovacionit shqiptar në qeverisje që po ndikon praktikat ndërkombëtare.
“Duke ardhur vetë nga një zonë rurale e Shqipërisë, e dija sa e largët mund të dukej politika,” shpjegon Lushaj. “Krijimi i klubit ishte mënyra ime për të treguar se të rinjtë nuk kanë pse të presin vite të tëra që të dëgjohen. Ata e meritojnë vendin e tyre në tavolinë tani.”
Përkushtimi i saj ndaj fuqizimit ekonomik është po aq i rëndësishëm. Si e para në familjen e saj që u diplomua në universitet, ajo i kupton pengesat me të cilat përballen të rinjtë. Ky përjetim personal e frymëzoi të krijojë platformën Smart, e cila lidhi drejtpërdrejt shumë studentë me mundësi punësimi pranë Bankës Kombëtare Tregtare të Shqipërisë, jo vetëm bursa studimi, por vende pune reale që u hapën dyert e karrierës.
“Mbaj mend sa e vështirë ishte të financoja studimet e mia,” kujton ajo. “Prandaj doja që platforma të bënte më shumë se të shpërndante bursa studimi. E pashë si një mënyrë për t’u dhënë studentëve mundësi praktike dhe të qëndrueshme që mund t’ua ndryshonin jetën.”
Kontributet e Lushajt në pjesëmarrjen politike të grave janë gjithashtu të rëndësishme. Platforma e iniciuar nga ajo StopVAWP (Platforma për denoncimin e dhunës ndaj grave në politikë), u jep grave mundësinë të raportojnë dhunën dhe ngacmimet gjatë zgjedhjeve, një hap kritik drejt zgjerimit të bazës së lidershipit në Shqipëri dhe garantimit që gratë të marrin pjesë në politikë pa frikë e intimidim.
Përpjekjet e saj nuk kanë kaluar pa u vënë re. Lushaj bashkë me skuadren e saj janë nderuar dy herë me Çmimet për Ndikim dhe Inovacion nga Fondacioni Westminster për Democraci në Angli për aftësinë e saj për të ndërlidhur përfshirjen sociale me infrastrukturën ekonomike e politike. Kjo dëshmon se puna e saj nuk është vetëm me rëndësi kombëtare, por edhe me relevancë ndërkombëtare.
Në një botë ku stabiliteti varet nga shëndeti i institucioneve demokratike, puna e Alkida Lushajt qëndron si një model se si qeverisja, përfshirja dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin përpara së bashku, duke krijuar kushte për rritje që u sjellin përfitime të gjithëve.



