Si iu morr jeta një dhjetëvjeçari të shkëlqyer në shkollë me ëndrrën për t’u bërë kardiolog

Një djalë palestinez dhjetëvjeçar u vra nga forcat izraelite në fshatin al-Rihija, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor të pushtuar, shkruan BBC.

Ushtria izraelite tha se ushtarët e saj hapën zjarr në përgjigje të “hedhjes së gurëve” të drejtuara ndaj tyre. Nga ana tjetër, banorët e al-Rihiya deklarojnë se Muhammad al-Hallaq dhe miqtë e tij po luanin futboll në oborrin e shkollës lokale kur panë automjete ushtarake izraelite dhe filluan të iknin me vrap.

“Është normale, ata u frikësuan dhe vrapuan drejt fshatit,” tha prindi i një djali tjetër që dëshmoi ngjarjen për BBC-në. “Nuk kishte kërcënim, asnjë provokim. Asgjë.”

Prindi shtoi se ushtari “hapi zjarr papritmas” nga pjesa e pasme e automjetit. Muhamedi u qëllua në legen dhe u dërgua me makinë në një spital aty pranë, ku u shpall i vdekur.

Nëna: Ai donte të bëhej kardiolog

Nëna e tij tha se ai e kaloi ditën në shkollë duke treguar çantën e tij të re të shpinës para se të dilte.

“Ai i donte zogjtë dhe më tha se donte të bëhej kardiolog, e thoshte vazhdimisht këtë,” tha ajo mes lotësh, duke shtuar se gjithmonë merrte nota të shkëlqyera në shkollë.

Ushtria izraelite (IDF) tha zyrtarisht: “Ushtarët e IDF-së iu përgjigjën zjarrit ndaj dyshuarve për hedhje gurësh. Nuk u raportuan lëndime nga IDF-ja dhe incidenti është nën hetim.”

Megjithatë, portali izraelit Khan raportoi se një hetim paraprak nga një komandant batalioni i IDF-së kritikoi sjelljen e ushtarëve. Sipas raportit të tyre, komandanti përcaktoi se “të shtënat devijuan nga rregullat e angazhimit dhe se kishte përdorim të papërshtatshëm të armëve, me theks në masat e kontrollit të turmës.”

“Ky është incidenti i dytë ku të shtënat nuk u kryen në përputhje me rregullat e angazhimit,” thuhet se tha komandanti.

Një incident tjetër në veri të Bregut Perëndimor

Ushtria tha dje se kishte vrarë një palestinez në Qabatiya pranë Jenin-it në Bregun Perëndimor verior, duke thënë se ai hodhi një pajisje shpërthyese ndaj trupave izraelite që nuk u plagosën.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa e identifikoi personin si 20-vjeçarin Mahdi Kmeil, duke thënë se ai u vra gjatë një sulmi ushtarak izraelit.

Sipas të dhënave nga Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA), rreth 200 palestinezë, përfshirë rreth dyzet fëmijë, janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i vitit. /tesheshi.com/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button