Si filloi Koreja e Jugut të “prodhonte” më shumë foshnja pas rënies së afatgjatë?

Për herë të parë pas nëntë vitesh, norma e lindshmërisë në Korenë e Jugut është rritur, duke përmbysur një tendencë afatgjatë të rënies në nivele rekord.

Norma e fertilitetit në vend kishte rënë për tetë vite radhazi, duke e bërë Korenë e Jugut të vetmin anëtar të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me një normë nën 1.

Norma e lindshmërisë tregon numrin e fëmijëve të lindur nga një grua gjatë jetës së saj. Ekspertët thonë se një normë prej 2.1 është e nevojshme për të mbajtur popullsinë në të njëjtat nivele.

Edhe Japonia fqinje, e cila ka qenë prej kohësh e njohur për popullsinë e saj të plakur, ka një normë lindshmërie më të lartë se Koreja e Jugut – 1.2.

A është kjo rritje e fundit e lindshmërisë një shenjë e një të ardhmeje më të ndritur për Korenë e Jugut, apo është ende herët për të festuar?

Çfarë ka ndodhur me normën e lindshmërisë në Korenë e Jugut?

Sipas agjencisë kombëtare të statistikave, Statistics Korea, norma e lindshmërisë (e njohur shpesh si norma e fertilitetit) u rrit në 0.75 në vitin 2024 pas rënies në një nivel historik prej 0.72 vitin e kaluar.

Pas një norme prej 1.24 në vitin 2015, tetë vite të rënies së vazhdueshme çuan në normën më të ulët të lindshmërisë në botë. Megjithatë, nivelet ndryshojnë sipas rajoneve, dhe në kryeqytetin Seul, ku jeton më shumë se 18% e popullsisë së vendit, norma mbetet veçanërisht e ulët – vetëm 0.58%.

Raporti më i fundit demografik i vendit, i publikuar javën e kaluar, tregoi se në vitin 2023 u regjistruan mbi 240,000 lindje në nivel kombëtar. Kjo shifër është pak më e lartë se 235,000 lindjet e vitit të mëparshëm, por ende mbetet shumë më e ulët se 600,000 deri në 700,000 lindjet e regjistruara çdo vit në vitet 1990. Për më tepër, vitin e kaluar, numri i vdekjeve ishte 120,000 më i lartë se ai i lindjeve.

Një rritje e papritur e numrit të martesave në Korenë e Jugut mund të jetë një nga arsyet e kësaj rritjeje të lindshmërisë. Numri i martesave në vitin 2024 u rrit me 14.9% krahasuar me vitin e kaluar, rritja më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1970.

Çfarë ndikimi ka pasur rënia e lindshmërisë në popullsinë e Koresë së Jugut?

Popullsia kombëtare ka mbetur pothuajse e pandryshuar për disa vite. Në vitin 2023, ajo ra në pak më shumë se 51.2 milionë nga kulmi prej 51.83 milionë në vitin 2020, ndërsa numri i vdekjeve u rrit me 1.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Personat në të 50-at përbëjnë një përqindje të madhe të popullsisë (17%), ndërsa fëmijët nën 10 vjeç mbeten grupi më i vogël, me vetëm 6.13%.

Të dy grupet, si fëmijët deri në 14 vjeç ashtu edhe popullsia në moshë pune (15-64 vjeç), u pakësuan vitin e kaluar. Ndërkohë, numri i personave mbi 65 vjeç u rrit me 5.41%, duke përbërë më shumë se 20% të popullsisë, çka e bën Korenë e Jugut një “shoqëri super të plakur”.

Pse më shumë koreano-jugorë po martohen?

Zyrtarët e Statistics Korea thanë këtë javë se “rritja e martesave pas pandemisë COVID-19”, ndryshimet demografike dhe sjelljet sociale shpjegojnë këtë rritje.

“Kishte një ndryshim në vlerat shoqërore, me një qasje më pozitive ndaj martesës dhe lindjes së fëmijëve,” tha Park Hyun-jung, një zyrtare në Statistics Korea.

Sidoqoftë, arsyeja kryesore për rritjen e normës së martesave dhe lindjeve duket të jetë shtimi i numrit të njerëzve në fillim të të 30-ave, grupmoshë që konsiderohet kryesore për lindjen e fëmijëve.

Pse ka rënë norma e lindshmërisë në vitet e fundit?

Sipas zyrtarëve të qytetit të Seulit, kostoja e lartë e jetesës, mungesa e ekuilibrit mes punës dhe jetës dhe vështirësitë për të përballuar kujdesin cilësor për fëmijët janë disa nga arsyet kryesore pse njerëzit po shtyjnë ose po refuzojnë martesën dhe prindërimin.

Në një vend ku papunësia e të rinjve është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit, numri i të rinjve ekonomikisht aktivë gjithashtu ka rënë vazhdimisht.

Edhe ata që arrijnë të punësohen përballen me një javë pune mes më të gjatave në OECD – mesatarisht gati 36 orë në javë. Si rezultat, ekspertët thonë se arritja e një ekuilibri të kënaqshëm mes punës dhe jetës është bërë më e vështirë.

Çfarë hapash ka ndërmarrë qeveria për ta adresuar këtë problem?

Qeveria koreane ka shpenzuar më shumë se 360 trilionë won (270 miliardë dollarë) për programe si subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve që nga viti 2006.

Nga viti 2022, prindërit marrin një pagesë prej dy milionë won (1,510 dollarë) për çdo fëmijë të lindur. Po ashtu, qyteti i Seulit do të ofrojë një milion won (685 dollarë) për çiftet e reja që regjistrojnë martesën në kryeqytet.

Nga ky vit, rregullat e reja u japin etërve 20 ditë leje të paguar për lindjen e fëmijës.

Ish-presidenti Yoon Suk Yeol, para shkarkimit të tij në dhjetor, e shpalli “krizën demografike kombëtare” dhe propozoi një ministri të re për të trajtuar normën e ulët të lindshmërisë.

Qeveria ka provuar edhe skema më kreative. Zyrtarët në Seul organizojnë takime për beqarët që e kanë të vështirë të gjejnë partnerë.

Në Ditën e Shën Valentinit, organizuan një event të quajtur “Romance, Art Night”, ku 50 burra dhe 50 gra u njohën përmes lojërave dhe aktiviteteve sociale. Me 2,400 aplikime, ngjarja u cilësua një sukses, pasi gjysma e pjesëmarrësve gjetën një partner.

A do të vazhdojë të rritet norma e lindshmërisë?

Me shumë gjasë, jo. Cho Eunjoo, profesoreshë e asociuar e sociologjisë në Universitetin Kombëtar Jeonbuk, e minimizoi rëndësinë e rritjes së fundit të normës së lindshmërisë në vend.

Përveç faktit që norma mbetet ende 0.75, shumë larg 2.1 fëmijëve të nevojshëm për të ruajtur popullsinë në të njëjtin nivel, ajo beson se lindshmëria do të bjerë përsëri në të ardhmen e afërt.

“Numri i lindjeve në vitet 1990 ishte rreth 600,000 deri në 700,000 në vit, por kjo shifër pësoi një rënie drastike në vitet 2000,” tha Cho për Al Jazeera.

Në vitin 2017, numri i lindjeve ra në 300,000 në vit dhe në vitin 2020 zbriti në 200,000.

“Pra, edhe nëse norma e lindshmërisë mbahet në një nivel të caktuar, numri i lindjeve do të zvogëlohet ndjeshëm,” shtoi ajo. “Duhet të përgatitemi për ndryshimet dhe problemet sociale që do të vijnë me këtë rënie të madhe të popullsisë.”

Si shembull, Cho theksoi se qeveria duhet të përgatitet për kërkesat ndaj pensionit kombëtar në një vend që tashmë ka arritur nivelet e një “shoqërie super të plakur”.

Po ashtu, qeveria duhet të fokusohet në mënyrën se si sistemi arsimor do të duhet të përshtatet me uljen e nevojës për shkolla dhe mësues, si dhe në politikat rajonale për zonat rurale që rrezikojnë të shpopullohen.

Popullsia e Koresë së Jugut, e cila ka mbetur rreth 50 milionë për një kohë të gjatë, pritet të bjerë në 36.22 milionë deri në vitin 2072, sipas parashikimeve më të fundit të Statistics Korea.

Cho gjithashtu vuri në dukje se shoqëria koreano-jugore nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj martesës apo lindjes së fëmijëve, ndërsa në shoqëritë perëndimore, që nga fundi i shekullit të 20-të, një pjesë e madhe e lindjeve ka ardhur nga bashkëjetesat jashtë martese.

“Por çështja më e rëndësishme është fakti që përqindja e njerëzve në shoqërinë koreano-jugore që janë në gjendje të planifikojnë ose të shohin jetën e tyre në mënyrë të qëndrueshme është shumë e ulët,” tha Cho. “Njerëzit nuk martohen ose nuk bëhen prindër vetëm sepse qeveria u thotë ta bëjnë këtë.”

Në vend të kësaj, ajo tha se shoqëria duhet të analizojë arsyet pse njerëzit nuk duan të martohen apo të rrisin fëmijë në radhë të parë.

“Si mund ta bëjmë të mundur që brezi i ri të shohë të ardhmen me shpresë, ta planifikojë dhe ta presë me padurim?” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button