Si është gjendja e presidentit serb? – Njofton spitali ushtarak në Beograd

Gjendja shëndetësore e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është stabile dhe e kënaqshme, sipas kardiologut Dragan Dinçiq nga spitali ushtarak në Beograd. Vuçiq kishte shfaqur simptoma shëndetësore gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, ku mori menjëherë ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

“Në ditët në vijim, nuk është reale të pritet që presidenti të jetë në gjendje t’i kthehet aktiviteteve të tij të rregullta”, deklaroi Dinçiq, duke sqaruar se pas analizave të fundit, Vuçiq pritet të dalë nga spitali gjatë ditës.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Vuçiq përjetoi dhimbje në gjoks dhe presion të lartë të gjakut. “Mjekët në Amerikë kryen të gjitha kontrollet dhe presidenti, në kundërshtim me rekomandimin e tyre, vendosi të kthehej në Serbi”, tha Dinçiq.

Pasi mbërriti në Serbi, ai u ndje mirë dhe nuk pati komplikime gjatë udhëtimit. Ndërkohë, vizita e tij në SHBA përfshinte një takim me ish-kryetarin e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, si dhe ishte planifikuar të takonte zyrtarë të Partisë Republikane – takime që u anuluan për shkak të shëndetit të përkeqësuar.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Richard Grenell, përmes një postimi në X, i uroi Vuçiqit shërim të shpejtë, duke shprehur keqardhje për mungesën e takimit të planifikuar.

Vuçiq pritet të marrë pjesë më 9 maj në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë, vizitë që është kritikuar nga Bashkimi Evropian. Serbia, ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, megjithëse BE-ja i ka bërë thirrje të përsëritura që të harmonizojë politikën e jashtme me atë të bllokut.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button