Shumë emra të përdorur nga Asadi për të shtypur luftën civile në Siri janë në listat e sanksioneve
Gjatë viteve janë marrë vendime të ndryshme sanksionesh kundër shumë individëve, përfshirë familjen e Asadit, disa ministra dhe zyrtarë qeveritarë, për arsye të tilla si lufta civile në Siri, dhuna kundër civilëve, shkeljet e të drejtave të njeriut, krimet e luftës dhe mbështetja e organizatave terroriste, raporton Anadolu.
Përmbysja e regjimit 61-vjeçar të partisë Baath në Siri nxori në pah emra si Bashar al-Asadi, Mahir Asadi dhe Ali Mamluk, të cilët mbaheshin mend për krimet e ndryshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që bënë gjatë luftës civile.
Shumë njerëz që morën pjesë në mekanizmat e krijuar nga regjimi i Asadit për të shtypur luftën civile që filloi në vend në mars 2011, janë regjistruar si kriminelë lufte. Nga ana tjetër, nuk dihet numri i personave që janë sanksionuar për mbështetje të regjimit me veprime të tilla si dhuna ndaj civilëve, shkelje të të drejtave të njeriut, krime lufte dhe mbështetje për organizatat terroriste.
– “Akti i Cezarit” për Mbrojtjen Civile në Siri
“Akti i Cezarit”, i quajtur sipas fotografit sirian që dokumentoi torturat në burgjet ku mbaheshin kundërshtarët e regjimit të Asadit, u miratua nga Kongresi Amerikan në dhjetor 2019 dhe hyri në fuqi më 17 qershor 2020 dhe u nxor me qëllimin për të rritur presionin financiar ndaj individëve dhe institucioneve përgjegjëse për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut kundër civilëve në Siri.
Ky ligj i cili vendos sanksione ndaj individëve dhe organizatave të lidhura me krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në vend duke mbështetur forcat e regjimit në Siri, krahas Asadit përfshin edhe zyrtarët shtetërorë, forcat e sigurisë, njerëzit e biznesit dhe njerëzit e afërt me regjimin të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte.
Sipas “Aktit të Cezarit”, Asadi renditet si personi i parë i sanksionuar drejtpërdrejt për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Përveç Asadit, në listën e sanksioneve janë edhe 39 zyrtarë dhe institucione të larta siriane, përfshirë edhe familjen dhe gruan e tij.
Përveç gjeneralit Zuheir Assad dhe djalit të tij Kerem Assad, në këtë listë është edhe djali i Bashar al-Asadit, Hafez Asad. Përveç kësaj, shumë zyrtarë të rangut të lartë dhe udhëheqës ushtarakë të përfshirë në rrjetet e sigurisë dhe ushtarake të Sirisë janë prekur nga sanksionet sipas “Aktit të Cezarit”.
Vëllai i Asadit, gjeneralmajor Mahir Asad u përfshi në listën e sanksioneve, sipas këtij ligji, për shkak të kontributit të tij të drejtpërdrejtë në luftën civile në Siri dhe dhunën kundër civilëve.
Ali Mamluk, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Siri dhe një nga këshilltarët më të afërt të sigurisë së Asadit, kushëriri i Asadit, Rami Makhlouf dhe një nga biznesmenët më të pasur të Sirisë, ish-shefi i Inteligjencës së Forcave Ajrore Siriane Jamil Hasan, ish-komandant i Gardës Presidenciale siriane Abdurrezzak Tilas si dhe Farsi al-Shahabi, një nga biznesmenët më të pasur të Sirisë janë ndër personat e përfshirë në listën e sanksioneve.
– Sanksionet kundër familjes së Asadit
Departamenti amerikan i Thesarit shtoi në listën e sanksioneve 6 persona, përfshirë dy kushërinjtë e Asadit, me arsyetimin se ata kanë luajtur rol në prodhimin dhe eksportin e pilulave narkotike.
Në listë krahas kushërinjve të Asadit, Samer Kamal Asad dhe Wassim Badi Assad përfshihet edhe biznesmeni sirian Halid Kaddur, mik i ngushtë i vëllait të Asadit, Mahir Assad dhe i njohur si emri kryesor në prodhimin e drogës në vend.
Raportohet se Samir Kamal Asad, një nga kushërinjtë e Asadit nën kontrollin e regjimit dhe në koordinim me Divizionin e 4-të ka menaxhuar objekte të rëndësishme të prodhimit të drogës në Latakia dhe disa prej partnerëve të tij në Liban, ndërsa kushëriri tjetër i tij Vesim Badi Asad është një figurë e rëndësishme në rrjetin rajonal të trafikut të drogës.
Në mesin e emrave në listën e sanksioneve është edhe Imad Abu Zureyk, një ish-komandant i grupeve të armatosura kundër regjimit i cili luajti rol të rëndësishëm në prodhimin dhe trafikun e drogës në jug të Sirisë.
– Sanksionet e Bashkimit Evropian
Sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) kundër Sirisë u vendosën në zbatim për herë të parë në vitin 2011 kundër dhunës dhe shtypjes së regjimit të Asadit ndaj civilëve. Sanksionet e BE-së përfshijnë mbështetësit e Asadit si dhe njerëzit që kontribuojnë në financimin e regjimit.
Në kuadër të sanksioneve kundër Sirisë, janë 318 persona ndaj të cilëve zbatohen masa kufizuese. Lista e sanksioneve përfshin gjithashtu 86 organizata. Në krye të listës përfshihen Bashar al-Asadi dhe vëllia i tij Mahir al-Asad.
Ndër ata që janë në krye të listës janë Mamluk, gjeneral brigade Atıf Najib dhe gjeneral brigade Hafiz Muhammed Mahluf. Më 25 nëntor 2024, BE-ja përfshiu 3 ministra të regjimit të Asadit në listën e sanksioneve për shkak të “përgjegjësisë së tyre për shtypjen e dhunshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të regjimit sirian kundër popullsisë civile”.
Tre personat e shtuar në listë janë ministri i Tregtisë së Brendshme dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Luoay Imad al-Din al-Munjed, ministri i Naftës dhe Burimeve Minerale, Firas Hassan Qaddour dhe ministri i Shtetit, Ahmed Mohammed Bustaji.
Sanksionet e BE-së përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e qytetarëve dhe kompanive të BE-së që të ofrojnë fonde për ata që janë në listë dhe vendosjen e ndalimeve të udhëtimit për ata që janë në listë.
– Lista e sanksioneve e Britanisë
Britania e Madhe ka përfshirë gjithashtu në listën e saj të sanksioneve shumë ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë që shërbyen në regjimin e partisë Baath.
Shumë ish-ministra në Siri, si ish-ministri i Turizmit Bishr Riyad Yazigi, ish-ministri i Shëndetësisë, Saad Abdel-Salam al-Nayef dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fahd Jassim al-Freij, janë lidhur me “shtypjet e dhunshme kundër popullit”. Ndërsa, Bouthaina Shaaban, e cila ka shërbyer si këshilltare politike dhe mediatike e Asadit që nga korriku 2008, Organizata e Industrive Teknologjike (OTI), Bayan Bitar, menaxher i Përgjithshëm i Organizatës së Industrive Teknologjike të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes siriane dhe Duraid Durgham, ish-drejtor të Bankës Qendrore të Sirisë, u mbajtën përgjegjës për ofrimin e mbështetjes për regjimin.
Mamluk, i cili është në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe sanksioneve të BE-së, u përfshi gjithashtu në listën e sanksioneve të Britanisë për përfshirje në dhunën kundër demonstruesve.
Bassam al-Hasan i cili shërbeu si komandant i Forcave të Mbrojtjes Kombëtare është lidhur me përfshirjen në dhunën kundër popullatës civile, ndërsa Hilal Hilal, zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i partisë Baath është në mesin e të sanksionuarve për rolin në punësimin dhe organizimin e milicëve të partisë Baath dhe për mospërkrahjen e regjimit.
Disa emra nga familja e Asadit në listë janë të lidhur edhe me krime të ndryshme që lidhen me regjimin.
Gruaja e Bashar al-Asadit, Esma Asad është renditur me arsyetimin se ajo është e lidhur ngushtë me figurat kryesore të regjimit ndërsa motra e Asadit, Bushra Asad është gjithashtu e listuar për krime që lidhen me regjimin sirian, duke marrë parasysh marrëdhëniet e saj të ngushta personale dhe financiare me Bashar al-Asadin.
– Sanksionet e armëve kimike
Disa zyrtarë të nivelit të lartë janë në listën e sanksioneve për kontribut në përdorimin dhe përhapjen e armëve kimike në vrasjet masive të regjimit.
Qendra e Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore Siriane (SSRC), organizata kryesore e regjimit sirian në zhvillimin e armëve kimike, mbahet përgjegjëse për zhvillimin dhe prodhimin e armëve kimike si dhe për zhvillimin e raketave dhe artilerisë që do t’i mbajnë këto armë. SSRC e cila operon në shumë objekte në vend, është në listën e të kërkuarve për armë kimike.
Zyrtarët e nivelit të lartë në institutet e SSRC-së përgjegjës për zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve kompjuterike dhe elektronike për programin e armëve kimike të Sirisë, si kolonelët Firas Ahmed dhe Walid Zughaib akuzohen se kanë luajtur rol në transferimin dhe fshehjen e materialeve të lidhura me armët kimike.