Shteti bektashi – sherr budallasi

Ky subjekt, që nuk e kërkoi askush, arsyetohet me qëllim të mirë ndaj myslimanëve. Por, s’ka nevojë për shumë analizë të deklaratave që të lexohet nënteksti i tyre fyes ndaj Islamit dhe sherri ndaj myslimanëve.

Rilind DAUTI, Shkup

Në një ueb-faqe amerikane për automobilizmin shpesh ka rastisur të lexoj tituj lajmi për ndonjë incident të radhës gjatë ndonjë ndalese në trafik, në mes policisë, në njërën anë, dhe në anën tjetër ndonjë eksponenti i të a.q. “lëvizje e qytetarëve sovranë”, d.m.th. banorë dhe shtetas amerikanë, por që pretendojnë se për ta nuk vlejnë ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj dhe policia nuk ka drejtë t’i ndalojë.

Poshtë lajmeve për ta, lexuesit zakonisht vendosin komente të tipit “këta janë kulmi i idiotëve ose budallenjve”. Por, në fakt ata nuk janë të tillë. Ata janë shembull i përkryer i atyre që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i quajnë “sherr budallasi”. Pra, kur dikush, duke u shtirur si i pafajshëm, i paditur ose i thjeshtë si budalla, përpiqet t’u bëjë dëm të tjerëve ose të përfitojë diçka për vete.

“Mos ia zë për të madhe, sepse aq e ka kapacitetin e trurit!”, është shfajësimi për personat e tillë. Për shembull, është një anekdotë për një bari që i kishte lëshuar bagëtitë në truallin e një personi tjetër, duke ia dëmtuar të mbjellat. “Mos ia zë për të madhe, sepse aq ia pren radakja!”, i kishin thënë të dëmtuarit. “Por nëse është ashtu, përse nuk i ka lëshuar bagëtitë tek ara e vet, por tek ara ime?!”, ishte përgjigjur i dëmtuari.

Kështu, këta “qytetarët sovranë” në SHBA janë “budallenj” që sovranitetin e tyre e invokojnë vetëm kur duan të ikin nga ndonjë gjë që nuk u konvenon, siç janë ndalesat për kontroll në trafik, gjobat dhe dënimet tjera, pagesa për targat dhe regjistrimin e veturës, taksat të tjera dhe për tatimin. Ndërkaq, nuk janë aq budallenj që sovranitetin ta shfrytëzojnë kur kanë për të përfituar nga ndonjë e mirë publike, si: mbrojtja nga rreziqet e jashtme që ua siguron ushtria, rendi publik që ua mundëson policia dhe forcat tjera të rendit, energjinë elektrike, për të cilën kujdesen autoritetet shtetërore, ujësjellësin dhe kanalizimin, që ua mundësojnë autoritetet lokale, ndërtimin dhe mirëmbajtja e rrugëve nëpër të cilat presin t’u respektohet sovraniteti i tyre si qytetarë…

Mendësia “sherr budallasi” e qytetarëve sovranë në SHBA seç mu kujtua në kontekst të idesë për të a.q. Shtetin Sovran Bektashi. Ky subjekt, që nuk e kërkoi askush, arsyetohet me qëllim të mirë ndaj myslimanëve. Por, s’ka nevojë për shumë analizë të deklaratave që të lexohet nënteksti i tyre fyes ndaj Islamit dhe sherri ndaj myslimanëve.

Iniciatori i idesë, Edi Rama, për gazetën “New York Times” është shprehur se qëllimi i Shtetit Bektashi do të jetë promovimi i një “versioni tolerant të Islamit” me të cilin krenohet Shqipëria, dhe para mediumit të famshëm amerikan bëhet avokat i madh i myslimanëve: një mikroshtet i moderuar islamik do ta përçonte mesazhin “Mos lejoni që stigma e myslimanëve të përkufizojë se kush janë myslimanët!”.

Pra, sipas Edi Ramës, Islami i zakonshëm është Islam jotolerant (i keq), ndërsa Shqipëria e ka një “version” më të mirë. Dhe, për promovim të këtij “versioni tolerant të Islamit” nuk do të shfrytëzohet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që përfaqëson shumicën dërrmuese të myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, por do të shfrytëzohet një sekt i vogël, të cilët edhe ashtu udhëheqësi i saj i ka distancuar nga myslimanët e tjerë, duke shfrytëzuar edhe statistikë të rrejshme (“myslimanët janë 21%, bektashinjtë janë 50%”, është shprehur ai). Për promovim të tolerancës ndërfetare nuk do të shfrytëzohet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që krahasuar me institucionet simotra në shtetet tjera sekulare është maksimalisht “tolerant”, për mos të thënë kokulur, por stigmës kundër myslimanëve Edi Rama do t’i kundërpërgjigjet me një model të myslimanit që edhe më shumë i përshtatet qejfit të antimyslimanëve.

Vendet ku Edi Rama do ta luftojë stigmën kundër myslimanëve janë te disa qarqe në Perëndim, atje ku si argument për rrezikun e sotëm nga myslimanët i përmendin edhe përballjet fetare nga e kaluara. Dhe, paradoksalisht, për t’i luftuar paragjykimet e tyre, do ta shfrytëzojë një grup që ishte aktor kyç në ato ngjarje. Sepse, ishte pikërisht bektashizmi tarikati i jeniçerëve, njësisë që ishin forca kryesore luftarake e Perandorisë Osmane gjatë ekspansionit në Europë (dhe shpesh edhe ishin iniciatorë të ekspeditave drejt Europës).

Megjithatë, kur të analizohet më thellë, kjo edhe nuk është aq kontradiktore, por tashmë e bërë e zakonshme tek qarqet antimyslimane perëndimore, sepse nëse për myslimanët mejnstrim të sotëm ende u ka ngelur hatri për ngjarjet nga Mesjeta e largët dhe i marrin si argument edhe për rrezikun e sotëm prej tyre, për myslimanin e ndonjë sekti heterodoks nuk përbën problem e kaluara e tyre. Sa i përket bektashizmit, s’ka rëndësi nëse në të kaluarën bektashizmi ishte më afër Islamit të rrymës kryesore dhe në fakt ishte instrument për shpërndarjen e Islamit tek popujt e Europës osmane, ishte i lidhur me jeniçerët, që ishin elita e ushtrisë osmane dhe, në fund të fundit, ishte pjesë edhe e turpit të Europës, ku gjatë dhe pas luftërave të shteteve ortodokse të Ballkanit bektashinjtë i masakruan dhe i dëbuan masovikisht, ndërsa teqetë e tyre i zhdukën.

E kaluara e pakëndshme me bektashizmin s’ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është eksperienca e bektashizmit të sotëm të Baba Mondit. Dhe, për disa qarqe antimyslimane, ky përbën shembull të myslimanit “të ndershëm”. Një mysliman që nuk kërkon xhami, një mysliman që e pi alkoolin, që nuk i shtyp gratë, duke i detyruar të mbajnë shami, që nuk mban lidhje me shtetet e Lindjes së Mesme (përpos me Izraelin) dhe që nuk përzihet në politikë (përpos kur vjen puna te kërkesa e krijimit të shtetit bektashi dhe mbështetja për Izraelin).

Këso simpatie në Perëndim mund të hasen edhe për disa sekte të tjera të Islamit ose që kanë dalë tërësisht jashtë Islamit. Për shembull, ka simpati për alevinjtë, sepse ata adhurimet i bëjnë burra-gra bashkë dhe i mbështesin martesat homoseksuale, ndërsa këta myslimanë “të butë” i persekuton diktatori mysliman i vrazhdë, Erdogani. Ahmeditë e Pakistanit janë të mirë, sepse ata e refuzojnë xhihadin, ndërsa Arabia Saudite “e keqe” i diskriminon duke u mos lejuar qasje në vendet e shenjta ku lejohen vetëm myslimanët.

Në këtë mënyrë, disa sekte heterodokse shfrytëzohen si “yrnek” i myslimanit të mirë për Perëndimin dhe njëkohësisht shfrytëzohen për diskreditim të myslimanëve mejnstrim (duke iu përzier edhe aty se kë e konsiderojnë besimtar “të vërtetë”).

Edi Rama mund ta ketë nuhatur këtë qasje tek disa qarqe në Europë, andaj sektin e bektashizmit të sotëm e shfrytëzon për ta luftuar stigmën kundër vetë Shqipërisë. Pra, është e vërtetë se zyrtarisht Shqipëria është vend me shumicë myslimane, ama myslimanët shqiptarë nuk janë myslimanë të vërtetë, por sekt heterodoks, që nuk përbën rrezik për Europën dhe vlerat europiane. S’ka rëndësi nëse përpjekja për të përçuar imazh të tillë e dëmton reputacionin e myslimanëve të tjerë (dhe në realitet shumicën dërrmuese të shqiptarëve) dhe që nga kjo pastaj dëmtohet reputacioni i tërë Shqipërisë.

Dhe, ky dëm është shtesë e dëmit për tërësinë edhe të asaj republike të vogël të Shqipërisë. Sepse, nëse e ndryshon kushtetutën dhe ligjet për ta mundësuar krijimin e një subjekti autonom, eksterritorial ose sovran, për shkak të një fiks ideje si Shteti Bektashi, atëherë shumë më i fortë bëhet argumenti për autonomi apo shkëputje të Vorio Epirit, kur dihet se për autonomi dhe secesion shumë më shumë çojnë peshë dallimet gjuhësore dhe etnike sesa ato sektare dhe fetare. Po ashtu, me krijimin e Shtetit Bektashi, në mënyrë retroaktive legjitimohet edhe Republika e Mirditës e vitit 1921 dhe rebelimi i katolikëve të Malësisë së Dukagjinit më 1926 kur luftuan të shkëputen nga Shqipëria dhe t’i bashkëngjiten Mbretërisë SKS.

Asnjë burrështetas i brengosur për të ardhmen e kombit nuk do të ndërmerrte ndonjë hap që do të përbënte edhe rrezikun më të vogël për tërësinë e shtetit. Ndërsa, siç dihet, copëtimin e Shqipërisë nga fqinjët, shqiptarët e kanë traumë kombëtare, kurse kësaj më pas iu shtuan edhe përpjekjet separatiste me motiv fetar (që fatmirësisht u pamundësuan nga lufta e shqiptarëve të të gjitha feve). Andaj tash, me Shtetin Bektashi, vetëm i hidhet kripë plagës së mbetur nga e kaluara.

Nëse ideja e Edi Ramës për Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi nuk është budallallëk me dashakeqësi ndaj myslimanëve të rrymës kryesore, atëherë është shkurtpamësi dhe papërgjegjësi për interesat kombëtare shqiptare.

Ne jemi të vetmit që e themi të vërtetën për Islamin”, thotë Baba Mondi, udhëheqësi i tarikatit tolerant me retorikë ekskluziviste të stilit të ekstremistëve që pretendojnë se vetëm ata e kanë saktë. Dhe, cila qenka kjo e vërtetë për Islamin?! Që Islami i vërtetë është ai sinkretizuar me paganizmin paraislam turk dhe zjarrputizmin persian (Sulltan Nevruzi etj.)

Urdhri ynë ofron një model moderimi dhe bashkëjetesë që mund të shërbejë si kundërpeshë ndaj ideologjive radikale. Për shembull, vendet që mbajnë role udhëheqëse në botën islame, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë një mundësi për të përforcuar angazhimin e tyre për të promovuar interpretime të moderuara dhe paqësore të Islamit, duke mbështetur traditën tonë paqësore Shiite Sufi.

Pra, Baba Mondi ka aq besim në vete, sa edhe Arabia Saudite si djep i “vehabizmit”, do të bëjë transformim 180-shkallësh, duke e përqafuar interpretimin e Islamit të bazuar në traditën shiite dhe sufiste të bektashizmit shqiptar. Prej shtetit bektashi do të përfitojë edhe Kina, që sipas SHBA-së dhe BE-së, në të cilat betohen shqiptarët oksidentalistë, zbaton gjenocid ndaj myslimanëve dhe për këtë kanë miratuar edhe sanksione. Por, për këtë Baba Mondi jep tjetër zgjidhje, jo të targetuar ndaj shtetit që e bën gjenocidin, por ndaj viktimës: “Kombet që përballen me tensione të brendshme fetare ose ekstremizëm, si Kina, e cila po përballet me një kërcënim në rritje militant islamik në Xiangjiang, mund të shohin vlerën në përafrimin me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi, pasi ne ofrojmë një rrugë për të adresuar këto sfida, pa inkurajimin e ndarjes ose radikalizimit.

Pra, sipas logjikës së Baba Mondit, Kina zbaton politika legjitime në Xinjiang, sepse përballet me kërcënim militant islamik, ndërsa pasi të vendosë marrëdhënie me Shtetin Bektashi, Kina më s’do të ketë nevojë të shpenzojë për kampet e përqendrimit, sepse shehlerët bektashi do t’i mësojnë ujgurët që të jenë besimtarë të moderuar dhe shtetas lojalë që nuk kërkojnë ndarje. Njëjtë dhe militantë islamikë në shtetet tjera. Ata që në Egjipt e Afganistan gjatë namazit të xhumasë kanë sulmuar xhami të sufistëve shumë më të afërt me Islamin e rrymës kryesore do ta përqafuakan interpretimin e Islamit që e bëjnë bektashinjtë shqiptarë. Ekstremistët e dhunshëm, që nuk ua varin veshin as fetvave të dijetarëve më puritanë dhe konservatorë kur u thonë se sulmet vetëvrasëse ndaj civilëve janë tërësisht haram dhe për këtë përdorin argumente nga Kur’ani dhe Sunneti, do t’i bindeshkan udhëheqësit të një sekti sinkretik, që publikisht pi alkool, sepse “Zoti nuk ka ndaluar asgjë” dhe që citon hadithe që nuk gjenden as në librat e haditheve të shpifura (“Duaje atdheun më shumë se Perëndinë” paska thënë profeti Muhamed, transmeton Baba Mondi.)

Pretendimet e tilla të Baba Mondit për misionin sublim dhe ndikimin e madh që do ta ketë Shteti Bektashi janë fyerje e inteligjencës së myslimanëve (përpos që janë fyerje ndaj Islamit kur si “sherr budallasi” flet vetëm për luftimin e jotolerancës te myslimanët, ndërsa flirton me qarqet jotolerante antimyslimane nga fetë tjera), por për atë mund të besojmë se e bën nga bindja e sinqertë për vërtetësinë e bektashizmit dhe mungesa e vetëdijes për ndikimin inekzistent që tarikati i tij i vogël e ka në botën islame dhe që nuk do ta ketë as mikroshteti i tij. Megjithatë, vështirë se Edi Rama është aq naiv dhe i pavetëdijshëm sesa qesharake do të duket Shqipëria para botës.

Ideja që një sekt i vogël dhe heterodoks, si bektashizmi i sotëm, është interpretimi i Islamit që duhet promovuar, është fyese ndaj Islamit po aq sa do të ishte fyese ndaj gjuhësisë promovimi i sharlatanizmit pellazgo-ilir si interpretimi i duhur i gjuhësisë. A thua Edi Rama do ta turpëronte veten duke e promovuar një qasje të tillë ndaj shkencës, ashtu siç dëshiron ta promovojë bektashizmin e sotëm kur vjen puna te Islami?

Në Shqipëri ka histori të gjatë që, në emër të dashamirësisë ndaj myslimanëve, në fakt bëhet fyerja e tyre. Edi Rama dhe të tjerë shpesh kanë folur për Islam shqiptar, Islam europian, Islam tolerant, Islam të moderuar, madje edhe Islam minimal, duke iu përzier myslimanëve se si ta interpretojnë fenë e tyre dhe sasinë e lejuar të të qenit mysliman. Edi Rama dhe të tjerët që mendojnë ngjashëm për asnjë grup tjetër nuk kërkojnë interpretim të fesë në një mënyrë ose tjetër. Nuk kërkojnë Krishterim shqiptar, Budizëm europian, Judaizëm tolerant, Ateizëm të moderuar apo Agnosticizëm minimal. Të gjitha besimet dhe mosbesimet janë në rregull ashtu siç janë, por, për të mirën e tyre, vetëm myslimanët duhet ta modifikojnë fenë sipas gjeografisë (europian, shqiptar, francez) ose për nga fuqia apo sasia (tolerant, i moderuar, minimal).

Edi Rama e di se paternalizmin ndaj myslimanëve shqiptarë nuk mund ta eksportojë askund tjetër, sepse asnjë myslimani joshqiptar nuk i intereson se çfarë thotë për Islamin një kryeministër jomysliman i një shteti të vogël si Republika e Shqipërisë, e as nuk mund ta eksportojë qasjen dominuese ndaj myslimanëve, sepse askund tjetër myslimanët nuk u nënshtrohen ideologjive islamofobike, siç janë nënshtruar udhëheqësit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ajo që e bën Edi Rama me pretekstin e luftimit të stigmës kundër myslimanëve në Perëndim, në fakt, është përpjekje për ta luftuar stigmën kundër vetë Shqipërisë. Me promovimin e tarikatit që nën udhëheqjen e Baba Mondit është larguar skajshmërish jashtë rrymës kryesore të Islamit, ai mendon se antishqiptarët islamofobë të Perëndimit do t’i bindë që “ja, shqiptarët nuk janë si myslimanët e zakonshëm, por janë tolerantë, të butë, që pinë alkool dhe e duan Izraelin!”. Me promovimin e bektashizmit duke e ngritur si shtet të tërë, Edi Rama bëhet “sherr budallasi” ndaj qarqeve islamofobe të huaja, thua ti se ata janë aq mendjelehtë dhe nuk e dinë se bektashizmi i Baba Mondit nuk e përfaqëson shumicën e myslimanëve shqiptarë.

“Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi” nuk përbën asgjë tjetër, përpos një akti patetik të radhës që vjen nga kompleksi i politikanëve shqiptarë nga fakti se shqiptarët me shumicë janë myslimanë.

Për fund, diçka edhe për ata që këtë ide mund ta arsyetojnë me atë që s’ka asgjë të keqe, se Shteti Sovran Bektashi madje mund të bëhet atraksion turistik. Këtu ka diçka të vërtetë, sepse në botë ka shumë persona të apasionuar pas kurioziteteve gjeografike, që do ta konsideronin si trofe nëse në koleksionin filatelik e shtojnë edhe një pullë nga Posta e Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi ose në pasaportë u shtohet edhe vula nga Policia Kufitare e Shtetit Bektashi. Pra, ka mundësi që të ketë dobi për turizmin, por vështirë se dikush do ta rezervonte hotelin, aeroplanin, veturën me qera dhe të udhëtonte me orë të tëra që të vinte në Shqipëri i motivuar për ta vizituar Shtetin Bektashi. Ky subjekt “atraktiv për turistët” mund t’i sjellë dobi neto Shqipërisë turistike po aq sa Republika e Lirë e Liberlandit mund ta ketë përforcuar turizmin në Kroaci ose po aq sa Maqedonisë së Veriut mund t’i ketë sjellë turistë shtesë Republika e Vevçanit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button