Shqiptarët në Luginën e Preshevës protestojnë për të drejtat e tyre

Shqiptarët nga Lugina e Preshevës kanë mbajtur një protestë me moton “Për identitet dhe dinjitet”, transmeton Anadolu.

Protesta që u nis kundër shkeljeve të të drejtave të këtij komuniteti në Serbi, mblodhi qytetarët shqiptarë në Komunën e Preshevës.

Në protestë mori pjesë edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, si dhe qindra qytetarë.

Sinani në fjalën e saj para të pranishmëve tha se me anë të kësaj proteste do të kërkohet ndërprerja e pasivitetit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punës dhe institucione të hapura për të gjithë.

“Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Kjo është protesta e dytë pas asaj me kërkesa të njëjta që u mbajt më 12 gusht.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë, duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë të Preshevës, deri më tani janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madhi në numër, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button