Shqipëria thyen rekord vizitorësh në shtator, rritje me gati 10 për qind të turistëve të huaj

Shqipëria po vazhdon të tërheqë një numër gjithnjë e më të lartë vizitorësh të huaj, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në rajonin e Ballkanit.
Sipas të dhënave nga Institutit të Statistikave Kombëtare (INSTAT), për muajin shtator 2025, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 1.965.601 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 9,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Vetëm shtetasit e huaj që kanë hyrë në vend numërohen 1.259.684, çka tregon një rritje me 9,9% nga viti i kaluar. Ky trend pozitiv pasqyron jo vetëm zgjerimin e sezonit turistik përtej muajve verorë, por edhe forcimin e ofertës turistike shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në të njëjtën periudhë, 2.127.386 shtetas janë larguar nga territori shqiptar, ndërsa numri i daljeve të turistëve të huaj ka arritur në 1.354.731, me një rritje prej 10,2 për qind.
Sipas statistikave, 95 për qind e hyrjeve të shtetasve të huaj vijnë nga rajoni i Evropës, ku Evropa Jugore zë 69 për qind të hyrjeve, e ndjekur nga Evropa Perëndimore (12 për qind) dhe Evropa Qendrore/Lindore (11 për qind), shkruan ATSh.
Sa i takon qëllimit të hyrjes në vendin tonë të shtetasve të huaj, në 98 për qind të rasteve është për qëllime personale. Në shtator 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 9,8 për qind, krahasuar me shtator 2024. Ndërkohë që hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale janë rritur me 15,3 për qind për këtë periudhë.
Të dhëna tregojnë se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik gjithëvjetor, falë rritjes së kapaciteteve akomoduese, përmirësimit të infrastrukturës dhe diversifikimit të ofertës turistike.



