Shqipëria, si mund të jetë!?

Shqiptarët duhet të mendojnë për një Strategji të Madhe, të informuar nga vetëdija historike dhe realitetet objektive. Doktrina Koncentrike e Aleancave do të përbënte thelbin e kësaj strategjie, duke vepruar si një plotësim dhe jo si një alternativë e arkitekturës së sigurisë kolektive në të cilën bën pjesë Shqipëria.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Mbijetesa jonë si komb është një mrekulli. Në trekëndëshin e popujve, kulturave dhe qytetërimeve të mëdha – greke, latine dhe sllave – një popull relativisht i vogël, pa një gjuhë të shkruar, ka arritur t’u mbijetojë stuhive të historisë, ndërkohë që kultura më të mëdha janë arkivuar në historinë e hershme.
Në mungesë të një bërthame organizative politike – të paktën përgjatë pjesës më të madhe të historisë së njohur – shqiptarët, falë peshës së madhe gravitacionale që familja dhe fisi kishin në organizimin e jetës komunitare, zhvilluan shqisën e përshtatshmërisë. Ata ruajtën kohezionin e brendshëm organizativ komunitar dhe krijuan mekanizma të jashtëm për t’u përshtatur me rrethanat politike të krijuara, duke mbijetuar si një entitet i veçantë etnolinguistik brenda organizimeve të ndryshme perandorake. Ky ishte tharmi që, me mençuri, vetësakrificë dhe këmbëngulje, u fermentua nga Rilindja Kombëtare për të ngjizur kombin politik shqiptar.
Pragmatizmi politik (të cilin do ta shqyrtoj më në thellësi në një sprovë tjetër) shfaqet si vetia themelore në optikën që ka Rilindja për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria e Rilindjes, si një ide kombëtare, mbështetej në tre premisa: (I) shqipja, si tipar përcaktues i të qenit shqiptar; (II) europianizmi, si model orientimi kulturor dhe politik; (III) multikonfesionaliteti, si bashkëjetesë mes feve brenda kornizës politike të shqiptarësisë. Këto premisa përbënin bazën mbi të cilën do të ndërtohej kombi politik, i cili do të vetëpohohej në arenën e kombeve të qytetëruara.
Mes rilindasve ekzistonte një konsensus mbi perceptimin e popujve fqinj si armiq, në kuptimin Schmittian të termit, duke përfshirë turqit, grekët, serbët dhe bullgarët. Kjo armiqësi nuk ishte ideologjike, por thjesht pragmatike, e lidhur me rrezikun që këto kombe përbënin për mbijetesën e kombit shqiptar. Sipas Sami Frashërit, turqit, në përpjekje për të mbrojtur bërthamën e Perandorisë, po sakrifikonin periferitë, një zhvillim fatal për shqiptarët; grekët synonin territoret jugore shqiptare; serbët kërkonin zgjerim nga veriu deri në Adriatik; ndërsa bullgarët shtriheshin nga veriu dhe juglindja mbi territoret e banuara nga shqiptarët. Në këtë perspektivë, shqiptarët, në rrethin e tyre të parë të drejtpërdrejtë, ndodheshin të rrethuar nga popuj që synonin të maksimizonin interesat e tyre territoriale në dëm të tyre.
Në një memorandum që qytetarët e Shkodrës i dërgonin Lordit Beaconsfield (Benjamin Disraeli, kryeministër i Britanisë së Madhe) para Kongresit të Berlinit, artikuloheshin idetë bazë gjeopolitike të Rilindjes:
– Shqiptarët janë një popull i veçantë, unik dhe historik në trojet e tyre;
– Janë mjaftueshëm të fuqishëm për të luftuar dhe mbrojtur veten, por jo aq sa të kërcënojnë të tjerët;
– Fluiditeti i faktorit shqiptar nxit orekset e vendeve fqinje dhe krijon paqëndrueshmëri në rajon;
– Shqiptarët përbëjnë një barrierë natyrore kundër ekspansionit rus në Mesdhe;
– Për shkak të këtyre arsyeve, Shqipëria duhej të vihej nën patronazhin e Britanisë së Madhe, si fuqia më e madhe jashtë-rajonale e kohës.

Thelbi i strategjisë së madhe të Rilindjes ishte krijimi i një entiteti politik kombëtar, i cili do të krijonte një ekuilibër fuqie në Ballkan dhe do të pengonte zgjerimin e popujve sllavë drejt Adriatikut. Ky projekt kombëtar mbështetej në patronazhin e fuqisë më të madhe jashtërajonale të kohës, Britanisë së Madhe, si dhe në aleancë me kombet europiane, përfshirë Italinë. Një strategji e tillë do t’i siguronte Shqipërisë garanci ndaj ambicieve ekspansioniste të kombeve fqinje dhe do të shërbente si faktor stabilizues për gjithë rajonin.
Strategjia e Rilindjes nuk u realizua për shkak të ndarjes së territoreve dhe popullsisë shqiptare, çka prishi ekuilibrin rajonal. Shqipëria e mbetur politike u reduktua në një zonë tampon përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke amortizuar interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha si Rusia, Austro-Hungaria, Italia, si dhe ato të fuqive më të vogla rajonale.
Pjesa e mbetur e shekullit XX pasqyron këtë realitet material, i cili e bëri Shqipërinë vulnerabël ndaj interesave të fqinjëve dhe fuqive të treta. Mbijetesa e saj u diktua nga dy strategji të alternuara: herë nënshtrimi ndaj një fuqie dominuese, herë balancimi i fqinjëve përmes mbështetjes tek aktorë jashtërajonalë.
Gjysma e dytë e Luftës së Ftohtë solli një ngrirje të gjeopolitikës rajonale për shkak të status quo-së në nivel ndërkombëtar. Kjo situatë i dha Enver Hoxhës hapësirën e nevojshme për ta izoluar Shqipërinë dhe për të konsoliduar regjimin e tij në kushtet e një vetëpërjashtimi nga sistemet e mëdha të aleancave globale.
Rënia e Bashkimit Sovjetik shënon një moment historik të ri dhe një mundësi për të “hakmarrë” historinë në favor të kombit shqiptar. Triumfi i liberalizmit politik dhe dominimi i fuqisë amerikane krijuan kushtet për një rikonfigurim të Ballkanit në përputhje me interesat shqiptare.
Shqipëria u pozicionua në një aleancë natyrale, ashtu siç kishin shpresuar rilindasit – por në vend të Britanisë së Madhe, këtë rol tashmë e luante SHBA-ja. Në këtë kontekst, Kosova fitoi lirinë dhe më pas pavarësinë, ndërsa shqiptarët në Maqedoni u faktorizuan si një entitet shtetformues brenda Maqedonisë së Veriut. Momenti unipolar i dominancës amerikane dhe rendit liberal ishte bekimi më i madh për shqiptarët, pavarësisht se përfitimet prej tij nuk u maksimizuan plotësisht.
Busulla e orientimit për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në rajon u kthye drejt Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Strategjia e madhe përfshinte dy objektiva madhorë: anëtarësimin në NATO si garanci për sigurinë dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian si garanci për demokracinë dhe prosperitetin ekonomik. Në këtë kontekst, nuk mund të kishte një alternativë tjetër ndaj këtyre objektivave strategjikë.
Si rrjedhojë, Shqipëria u kaplua nga një dembelizëm intelektual dhe një përgjumje strategjike. NATO-ja dhe BE-ja u shndërruan në përgjigje universale për të gjitha problemet, duke krijuar një ndjenjë sigurie që pengoi zhvillimin e një mendimi kritik mbi të ardhmen.
Kjo gjendje ishte e favorshme për aq kohë sa zgjati, por pakkush u shty të reflektonte mbi faktin se NATO-ja – dhe deri diku edhe BE-ja – janë të lidhura ngushtë me supremacinë amerikane, nga njëra anë, dhe me idenë e triumfit të liberalizmit, nga ana tjetër.
Sot, as njëra dhe as tjetra nuk janë më të sigurta. Shtetet e Bashkuara kanë filluar të ndiejnë barrën e tejshtrirjes – një faktor që historikisht ka kontribuar në rënien e të gjitha perandorive – dhe po rivendosin prioritetet e tyre gjeopolitike. Në këtë rikonfigurim, Europa nuk është më në qendër të vëmendjes, e aq më pak Ballkani.
Ndërkohë, vetë Europa po përballet me një moment polikrize, e cila kufizon aftësinë e saj për të menduar strategjikisht dhe për të operacionalizuar fuqinë e saj ekonomike në terma të politikës strategjike.
Shqipëria (dhe shqiptarët) gjenden pa një përgjigje të qartë ndaj këtij realiteti të ri. Mungesa e një mendimi strategjik e bën vendin të papërgatitur për të përballuar ndryshimet në ekuilibrat ndërkombëtarë.
Politika e madhe është e përqendruar në duart e kryeministrit, i cili operon kryesisht në terma elektoralë dhe në funksion të zhvillimeve të momentit. Ndërkohë, strukturat e tjera që në teori duhet të adresonin pozicionin strategjik të Shqipërisë në kushtet e dinamikave të reja gjeopolitike ose funksionojnë si entitete implementuese ose janë të përfshira në çështje teknike. Si rezultat, vendi mbetet pa një vizion të qartë dhe të operacionalizuar strategjikisht, çka e pengon të zbusi barrën e paparashikueshmërisë në zhvillimet gjeopolitike.
Shqiptarët duhet të mendojnë për një Strategji të Madhe të informuar nga vetëdija historike dhe realitetet objektive. Doktrina Koncentrike e Aleancave do të përbënte thelbin e kësaj strategjie, duke vepruar si një plotësim, dhe jo si një alternativë e arkitekturës së sigurisë kolektive në të cilën bën pjesë Shqipëria.
Kjo doktrinë do të funksiononte në tre nivele ose rrethe koncentrike:
Rrethi i parë – Bërthama: Përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Shqipëria dhe Kosova përballen me imperativin historik të krijimit të një Strategjie të Madhe të përbashkët, e cila duhet të hedhë bazat e integrimit funksional dhe sektorial ndërmjet dy shteteve, si dhe të mbrojtjes së përbashkët, si një aspekt plotësues i sigurisë kolektive të NATO-s.
Rrethi i jashtëm përfshin Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Europian, duke përfshirë edhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet kryesore të BE-së – një dimension i neglizhuar në politikën e jashtme të Shqipërisë.
Aleanca me SHBA-të duhet të shkojë përtej romantizimit të marrëdhënies së ndërtuar në momentin unipolar. Në kushtet e reja gjeopolitike, Shqipëria dhe Kosova duhet të zhvillojnë alternativa të përbashkëta për ta ruajtur vëmendjen strategjike të SHBA-së, duke përfshirë elemente të ndërvarësisë ekonomike.
Një opsion i tillë mund të jetë shndërrimi i një prej porteve shqiptare në hyrjen kryesore të gazit të lëngshëm amerikan në Europë, ndërsa Kosova mund të pozicionohet si një qendër shpërndarëse për Europën Qendrore dhe Veriore. Kjo do të krijonte një interes strategjik konkret, duke e integruar faktorin shqiptar në hartën e sigurisë energjetike të Perëndimit.
Rrethi i ndërmjetëm, i cili ka qenë tërësisht i neglizhuar në mendimin strategjik shqiptar, duhet të fokusohet në forcimin e aleancave rajonale përtej kornizave formale të “fqinjësisë së mirë”, duke u mbështetur mbi parimin e interesit reciprok.
Në reflektim të parimit të kahershëm se nuk ka aleanca të përhershme, por interesa të përhershme, shqiptarët ndodhen në një pozitë më të favorshme sesa në kohën e Rilindjes, pasi shumica e vendeve të rajonit nuk janë më armiq tradicionalë, por shtete me të cilët mund të ndërtohen marrëdhënie strategjike.
Një strategji e tillë do të krijonte një rrethim strategjik të Serbisë, duke dekurajuar çdo mendim aventuresk që mund të destabilizonte rajonin dhe ta rikthente atë në një gjendje hobsiane të konfliktit të përhershëm.
Brenda këtij rrethi, në nivelin e parë, përfshihen vendet rajonale që janë anëtare të NATO-s, si Turqia, Kroacia dhe Bullgaria, të cilat përfaqësojnë një bazë të fortë për sigurinë rajonale. Në këtë rreth hyn edhe Bosnja dhe Hercegovina, e cila, megjithëse jashtë NATO-s, ndodhet në një pozitë ku mund të kontribuojë në këtë ekuilibër strategjik.
Në përmbyllje, Strategjia e Madhe e shqiptarëve duhet të rifitojë një rol qendror në mendimin politik dhe gjeostrategjik të Shqipërisë dhe Kosovës. Në kushtet e një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme, ku garancitë tradicionale të sigurisë dhe stabilitetit po rishkruhen, shqiptarët nuk mund të mbeten thjesht spektatorë të dinamikave globale dhe rajonale.
Doktrina Koncentrike e Aleancave ofron një model strategjik që kombinon integrimin e brendshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, zgjerimin e aleancave rajonale mbi bazën e interesave të përbashkëta dhe angazhimin e fuqishëm me aleatët perëndimorë, duke u pozicionuar si një faktor proaktiv dhe i pazëvendësueshëm në arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit europian.
Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Kosova duhet të dalin nga përgjumja strategjike, të tejkalojnë qasjet pasive dhe të ndërtojnë një politikë të jashtme dhe të sigurisë të mbështetur mbi autonomi strategjike të kushtëzuar, e cila nuk kërkon alternativa ndaj Perëndimit, por plotësime që rrisin peshën dhe rolin shqiptar në rajon e më gjerë. Vetëm në këtë mënyrë, shqiptarët mund të transformojnë momentet historike në mundësi konkrete dhe të shmangin sërish rrezikun e mbetjes peng i forcave të tjera gjeopolitike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button