Shqipëria shënoi 34-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha

Në Shqipëri sot shënohet 34-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë në vend janë organizuar aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.

Në kuadër të këtij përvjetori, në Tiranë është mbajtur konferenca ndërkombëtare me temë “Muzealizimi i Kujtesës”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, organizatave të shoqërisë civile, ambasadave dhe studiuesve.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shqipërisë, Gentiana Sula, në fjalën e saj në hapje të konferencës u shpreh se sfida kryesore për të cilën ky institucion ndihmon është rishqyrtimi i historisë.

Ajo theksoi se autoriteti ka privilegjin që duke qenë se mbart gjithë trashëgiminë dokumentare të ish-sigurimit të shtetit, sipas saj, ka një rol të madh për t’i dhënë vërtetësi dhe besueshmëri narrativave.

“Autoriteti me punën e vet që natyrisht gjithmonë ka vend për përmirësim të paktën ka filluar të ndihmojë këdo, hulumtues, familjarë, studiues, që ta sfidojë atë historiografinë e vjetër që kishte ngelur jo vetëm ideologjike, politike e lidhur me pushtetin e vjetër, por edhe ngurtë në vetvete”, tha Sula.

Gjatë konferencës folën edhe përfaqësues të ambasadave, studiues dhe drejtues të organizatave të shoqërisë civile.

Rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha

Shtatorja e ish-diktatorit Hoxha u përurua në vitin 1988 në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Pasi lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 vazhdoi për disa muaj derisa u shndërrua në një lëvizje më të madhe me protesta popullore, duke sjellë edhe rrëzimin e regjimit komunist.

Protestat që filluan në dhjetor të vitit 1990 fillimisht nga studentët do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Hoxha, më 20 shkurt 1991.

Rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit Hoxha, që konsiderohej si një nga simbolet e diktaturës, ishte një nga ngjarjet e rëndësishme të asaj kohe që shënoi edhe simbolikisht rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button