Shqipëria në zi kombëtare! Përcillet në banesën e fundit Fatos Nano

Shqipëria mban sot më 2 nëntor zi kombëtare për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Sot flamuri kombëtar ulet në gjysmështizë, dhe do të organizohet një ceremonial shtetëror për të përcjellë me homazhe e nderime ish-kryeministrin.

Prej orës 08.30, qytetarë dhe personalitete të larta shtetërore e diplomatike brenda e jashtë vendit, po nderojnë liderin historik të së majtës. Të pranishëm janë familjarët e tij, miqtë e të afërmit, por edhe qindra qytetarë të thjeshtë për të nderuar kujtimin një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.
Bashkëshortja e tij, Xhoana Nano foli në emër të familjes, duke theksuar se “Fatosi e donte këtë vend, pavarësisht çmimit të lartë personal që pagoi”. “Fatosi nuk ishte njeri i zakonshëm, nuk bënte asgjë për gjysmë. Ai kishte një zemër të madhe. Një zemër që dinte të falte, të mirëkuptonte dhe të donte me gjithë qenien e tij. Ishte i drejtpërdrejtë, ndonjëherë kokëfortë dhe i vështirë. Ai e donte këtë vend megjithë shpirt. Pavarësisht çmimit të lartë personal që i duhej të paguante, nuk hoqi dorë për ta parë Shqipërinë më të begatë. Të tillë e paraqiti Shqipërinë edhe në takimet ndërkombëtare me burrat e shteteve në Uashington, Paris e gjetkë. Për të gjitha këto sot, kam një ndjenjë mirënjohje, që pata fatin ta njihja, që pata fatin të ecja krah tij, të qeshnim dhe vuanim bashkë, të jetonim. Faleminderit Fatos që me deshe dhe më dhe mundësinë të të dua, që ishe ky që ishe, që e dhe veten tënde, të gjithën, pa kursim, për mua, për veten, për vendin tonë“, u shpreh ajo me lotësh.
Pas homazheve publike, nga ora 11:15 deri në 11:45, do të zhvillohen homazhet e personaliteteve të larta të shtetit dhe trupit diplomatik.

Atmosfera në Pallatin e Kongreseve është e mbushur me emocione dhe respekt për njeriun që la gjurmë të thella në historinë politike të vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button