Shqipëria e Sami Frashërit kundër “Bektashistanit” të Edi Ramës

Në kontekst të frymës dhe mesazheve të veprës së Samiut, bëhet e pakuptimtë çdo ide a tentativë për themelimin e një shteti imagjinar bektashi në zemër të shtetit shqiptar, me çka bektashinjtë faktikisht do të shtyheshin që të dilnin nga identiteti shqiptar. Pyetja më logjike do të ishte: ku do të emigronin kombëtarisht ata njerëz, kur dihet se kontributet e tyre janë në rrënjët e kombit shqiptar dhe të shtetit shqiptar?
Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Sikur ta kishte parandier rrezikun se në të ardhmen do të shfaqeshin disa bukëshkalë që do ta kontestonin dhe ta nxirrnin në pazar Shqipërinë e kombin shqiptar, Sami Frashëri në fjalinë e parë të programit të tij me titull “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” definon matematikisht se: “Shqipëri i thonë gjith atij vëndi tek rrinë Shqiptarët. Shqiptarët janë më i vjetrë i kombeve t’Evropsë.” Pra, sipas Sami Frashërit Shqipëri i thonë edhe atij lokacionit afër Tiranës, ku Edi Rama e Edmond Brahimaj po synojnë të formojnë një tjetër shtet dhe të tjetërsojnë një pjesë të shtetit shqiptar, njëqind e njëzet e gjashtë vite pas botimit të programit kombëtar të Sami Frashërit.
Vërtet, si nuk u vjen turp nga Samiu?
Duke e pasur parasysh atdhetarizmin, kompetencën dhe vizionin e Samiut, domosdoshmërisht shtrohet kjo pyetje: si nuk u vjen turp këtyre aventurierëve prej Sami Frashërit? Programi kombëtar “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë” do të duhej të ishte një fakt i parevokueshëm për çdo shqiptar normal në këtë botë, që të mos tentonte kurrë të fuste pyka në trungun kombëtar shqiptar dhe në shtetin shqiptar. Pse? Sepse Samiu e ka kornizuar dhe e ka çimentuar idenë themelore të kombit shqiptar e të shtetit shqiptar, për jetë të jetëve. Ideja e tij e kombformimit shqiptar ka lëshuar rrënjë, ngase ka qenë brenda standardit të formimit të kombeve europiane në shekullin XIX, brenda botëvështrimit iluminist dhe të modernizmit, pra të frymës kur u formuan e u forcuan shumica e kombeve europiane. Ideja e tillë e kombformimit edhe sot është dominuese në kontinentin tonë, ku në qendër të saj mbetet hapësira gjeografike a territori, sipas parimit gellnerian se njësia politike dhe kombëtare duhet të përputhen, kultura e përbashkët, me gjuhën si argumentin më të fortë dhe me kujtimet e përbashkëta. Duke i ndjekur ato standarde të kombformimit, të hartuara nga Sami Frashëri, shqiptarët u bënë komb, edhe pse në një konstelacion gjeopolitik e gjeokulturor tmerrësisht të pafavorshëm, në konflikte me shtetin osman, veçmas me xhonturqit arrogantë, në konflikt me grekët, serbët e bullgarët dhe të dënuar me zhdukje në kalkulimet e disa prej fuqive kryesore europiane, sidomos nga Rusia, Franca e Britania e Madhe. Prandaj mund të thuhet me siguri të plotë se projekti i Sami Frashërit, edhe pse i hartuar në fillimet e kombformimit shqiptar dhe më shumë se një decenie para se të proklamohej një shtet shqiptar, e ka dhënë provën me një sukses të admirueshëm. Ai nuk u realizua në përmasat e konceptuara për shkak të faktorëve të jashtëm, por jo për shkak të mungesave të programit. Për arsye të kësaj faktologjie mbi kombformimin shqiptar, veçmas figura me përgjegjësi shtetërore e fetare, si Edi Rama e kryegjyshi bektashi Edmond Brahimaj, nuk do të duhej kurrë të tentonin ta nxirrnin në pazar kombin e shtetin, edhe po ta kishin revolen e ndonjë kauboji pas qafës. Por, ata e kanë bërë tashmë atë hap të turpshëm. Ajo që ne duhet të bëjmë është t’u dëshmojnë se ideja antikombëtare për shtetin bektashi të Edi Ramës dhe Edmond Brahimajt nuk ka asnjë bazë as në programin monumental të Samiut, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, sikundër që nuk ka as në veprën “Fletore e bektashinjet” të Naim Frashërit dhe as në programin politik të Abdyl Frashërit.
Gjeografia, kombëria, fetaria dhe shteti – si harmoni kombëtare
Ja disa nga argumentet e Samiut, që rrënojnë çdo ide për ndonjë shtet bektashi në truallin shqiptar e brenda kombit shqiptar!
E para, po qe se e nisim nga gjeografia, Samiu thotë se “kufit’ e veriut të Shqipërisë, me të ndarë nga an’ e detit ngjiten drejt veriut duke psheturë në kufit të Malit të Zi e Novi Pazart gjer në kufit të Serbisë më siprë shkallës 43. Kufitë e jugës kthehenë prapa drejt verit me lumtë t’Artës e me kufit të Greqisë gjer në Zhigo. Sa për kufitë e lindjesë një vijë e hequrë që nga kufit’ e Serbisë afër Vranjës gjer në kufit të Greqisë në Malin Zhigo. (…) Shqipëria nga veriu ka kufi fqinjë Mal’ e Zi, Novi-Bazar, a Bosnjën q’e urdhëron Austria dhe Serbinë, nga lindja ka Maqedoninë, nga juglindja Greqinë, nga jug-perëndimi e ka perëndimi ka denë i cili e ndan nga Italia e nga Evropë’ e qytetëruarë.” Brenda kësaj gjeografie ai thotë se është atdheu i shqiptarëve, Shqipëria, ndërsa brenda saj ka vetëm organizime administrative të një shteti të centralizuar kombëtar shqiptar.
E dyta, sa u përket banorëve, Samiu konstaton se “gjithë të tjerë vëndës të Shqipërisë janë fjeshtë Shqiptarë të ndarë në gegë e Toskë.” Pra, thjesht shqiptarë.
E treta, sa u përket ndarjeve komunitare-fetare, Samiu konstaton se “edhe nga besa (feja-sqarim imi) Shqiptarët ndahenë në mysylmanë, që janë dy të tret e më të krishterë, që janë një e treta. Të krishtenët ndahen afro përgjysmë më katolikë Llatinë, si i themi, edhe më orthodoksë. Në Gegëri krishtenët janë katolikë, në Toskëri orthodoksë. Edhe myslimantë janë në ndarë në synij e Bektashinj. Po këto ndarje të besës nuk sjellnë nonjë ç’qim (dallim) e çarje në mes të Shqiptarëvet.” Dhe, argumenton: “Shqipëtari mysliman qoftë, orthodox qoftë, katholik qoftë ëshët gjithnjë shqiptërar. Besa (feja, sqarim imi) nuk sjellë kurrë ndarje e çarje në mest të tyre.” Nëse këto ndarje fetare nuk sillnin dallime në fundin e shekullit XIX, kur ishte hapur çështja e formimit të kombit, si është e mundur që ato dallime në shekullin XXI të provokohen e të acarohen deri në idenë e formimit të një shteti brenda shtetit shqiptar, goja për të mbrojtur bektashinjtë shqiptarë dhe kjo bëhet nga kryeministri i shtetit shqiptar?! Prej kujt u dashka të mbrohen bektashijtë, kur absolutisht nuk i diferencon dhe nuk i provokon askush? Në fakt vetë ideja e Edi Ramës, e përkrahur nga kryegjyshi bektashi, Edmond Brahimaj, është tentativë anakronike, për t’i diferencuar bektashinjtë, për t’i përjashtuar nga kombi shqiptar, për t’i ekspozuar ndaj zhgënjimit e zemërimit të pjesës tjetër të kombit tonë shqiptar.
E katërta, lidhur me bektashijtë Samiu parashikon një organizim fetar, por kurrsesi organizim shtetëror. “Bektashinjtë, të cilëtë janë mjaft të përhapurë e të shumë në Shqipëri, do të kenë një Krye-baba në një vënt të Shqipërisë, i cili do të bënjë babajt’ e tjerë, e bashkë me një këshillë të mbledhurë prej babajsh e prej dervishësh të vështronjë e të vërë mb’udhëtë punët e teqevet e të Tarikatit.” Pra, Sami Frashëri planifikon që selia të jetë në Shqipëri e jo në ndonjë shtet të veçantë bektashi. Po ashtu ai thotë se ajo strukturë fetare duhet të merret me organizimin e punëve të teqevet dhe të tarikatit e kurrsesi me ndonjëfarë administratë shtetërore.
E pesta, struktura e shtetit kombëtar shqiptar, të cilën e propozon Sami Frashëri, është strukturë dhe hierarki e një shteti unitar. Samiu ka skicuar se si do të dukej udhëheqja shtetërore, qeveria, ndarjet administrative, struktura e qeverisë, e ushtrisë, e arsimit, çështjet fetare e deri te rrogat e zyrtarëve shtetërorë. Të gjitha këto për një shtet shqiptar unik dhe të pandashëm. Për ta përjetësuar projektin e kombit e shtetit unik shqiptar, fjalia e fundit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e çdo të bëhetë” është kjo: “Në mest të Shqiptarëvet të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, nonjë çarje, nonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!” Pra, si fjalia e parë, ashtu edhe fjalia e fundit e këtij programi kombëtar, i cili ka autor Sami Frashërin, apelon për tërësinë dhe unitetin e kombit e të shtetit shqiptar, për atdhedashuri. Fjalët dhe mesazhet e veprës së Sami Frashërit janë qortim dhe akuzë për secilin person që punon për prishjen e unitetit tonë kombëtar. Në këtë sfond edhe kujtimet e përbashkëta të shqiptarëve që vijnë që nga kohët e pellazgëve e këndej, sipas autorit, mishërojnë unitetin kombëtar, lashtësinë, lavdinë dhe krenarinë e pashoqe kombëtare.
Shteti bektashi kundër bektashinjve shqiptarë
Në kontekst të frymës dhe mesazheve të veprës së Samiut, bëhet e pakuptimtë çdo ide a tentativë për themelimin e një shteti imagjinar bektashi në zemër të shteti shqiptar, me çka bektashijtë faktikisht do të shtyheshin që të dilin nga identiteti shqiptar. Pyetja më logjike do të ishte: ku do të emigronin kombëtarisht ata njerëz, kur dihet se kontributet e tyre janë në rrënjët e kombit shqiptar dhe të shtetit shqiptar? Kontributet e Abdylit, Naimit e Samiut e shumë të tjerëve nuk mund të shkulen kurrë e aq më pak të shartohen në ndonjë kreaturë shtetërore a kombëtare tjetër. Kjo sa i përket dimensionit brendakombëtar.
Sa u përket pasojave eventuale në raport me kombe e shtete të tjera, me armiqtë po edhe me faktorët ndërkombëtar, proklamimi i një shteti kukull bektashi, do të ishte rast i tmerrshëm për rikthimin e mërive dhe ambicieve të vjetra antishqiptare. Armiqtë e vjetër do të kishin një pretekst të shkëlqyeshëm për të rifilluar a për të zgjeruar planet e tyre të errëta. Ndërsa një kreaturë e tillë me parashenjë fetare do të krijonte armiq të rinj, sidomos nga bota muslimane, të cilët do ta shihnin si një shtet-kukull në duart e cionizmit, të sorosizmit, të globalizimit, të islamofobisë. Në atë rast nuk do të mund të na ndihmonin as miqtë tanë të vjetër, të cilët Sami Frashëri i identifikon dhe i lavdëron në veprën e tij. Por, nuk do të na ndihmonin as miqtë e kohëve të reja, sepse do të dukeshim bukëshkalë dhe të pabesë ndaj vetes sonë.