Shpërthimi i një makine bombë vret 20 persona në Manbixh të Sirisë veriore

Një makinë bombë ka vrarë të paktën 20 persona dhe ka plagosur shumë të tjerë në periferi të Manbixhit, në Sirinë veriore, ka bërë të ditur presidenca siriane.
Shpërthimi i së hënës ishte sulmi më vdekjeprurës në vend që nga rënia e presidentit Bashar al-Asad në dhjetor të vitit të kaluar.
Incidenti ishte gjithashtu sulmi i shtatë me makinë bombë në pak më shumë se një muaj në këtë zonë, e cila ka qenë skenë e luftimeve midis forcave të mbështetura nga Turqia dhe një grupi të dominuar nga kurdët.
Zyra e presidentit të ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, e dënoi sulmin “terrorist”, duke thënë se do të kërkojë përgjegjësi për këtë incident.
“Kjo krim nuk do të kalojë pa ndëshkimin më të ashpër për autorët e tij, në mënyrë që të bëhen një shembull për këdo që mendon të cenojë sigurinë e Sirisë apo të dëmtojë popullin e saj,” tha presidenca.
Punonjës të spitalit i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press të hënën se makina shpërtheu natën pranë një automjeti që transportonte kryesisht punëtorë bujqësorë.
Mbrojtja Civile Siriane, e njohur si Helmetat e Bardha, tha se të paktën 11 gra dhe tre fëmijë u vranë në sulm.
“Çdo viktimë kishte familje dhe ëndrra,” tha grupi i shpëtimit në një deklaratë. “Përpjekja e tyre për të siguruar jetesën u kthye në vdekje dhe plagë. Drejtësia për ta duhet të arrihet dhe autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi.” /Al Jazeera/