Shpërthime në Teheran, Izraeli thotë se ka nisur një sulm ndaj objektivave bërthamore të Iranit

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njofton se Izraeli ka nisur një sulm parandalues ndaj Iranit dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Izrael.
Njoftimi thotë: “Pas sulmit parandalues të Shtetit të Izraelit kundër Iranit, pritet një sulm me raketa dhe dronë kundër Shtetit të Izraelit dhe popullsisë së tij civile në të ardhmen e afërt.”
Zyrtarëve amerikanë u tha të mërkurën se Izraeli ishte gati të niste një operacion në Iran, ka raportuar BBC.
Zyrtarët thanë se kjo ishte pjesërisht arsyeja pse SHBA-të kishin këshilluar disa amerikanë të largoheshin nga rajoni dhe se SHBA-të parashikonin që Irani mund të hakmerrej ndaj disa bazave amerikane në Irak.
Një zëdhënës i Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) ka thënë se Izraeli ka nisur një “ofensivë parandaluese, të saktë dhe të kombinuar” për të goditur programin bërthamor të Iranit.
Ai shtoi se sulmet ishin në përgjigje të “agresionit të vazhdueshëm të regjimit iranian kundër Izraelit”.
Dhjetëra avionë izraelitë u përfshinë në “fazën e parë” ndaj “objektivave bërthamore” në zona të ndryshme të Iranit, tha deklarata. Nuk dha detaje nëse do të kishte sulme të tjera.
“Sot, Irani është më afër se kurrë për të marrë një armë bërthamore. Armët e shkatërrimit në masë në duart e regjimit iranian janë një kërcënim ekzistencial për Shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i rëndësishëm për botën në përgjithësi.”
Ai tha se IDF është “e gatshme të vazhdojë të veprojë sipas nevojës”, ka raportuar BBC.