Shpërthim i fuqishëm gjatë lutjeve në një xhami në Indonezi, dhjetëra të plagosur

Shpërthim në një xhami në Xhakartë. Mediat e huaja raportojnë se nga shpërthimi kanë ngelur dhjetëra të plagosur, të cilët janë dërguar në spital. Ngjarja ndodhi në një xhami që ndodhej brenda një kompleksi shkollor në kryeqytetin indonezian, Xhakartë, gjatë lutjeve të së premtes.
Sipas autoriteteve, policia po heton shkakun e shpërthimit që ndodhi në një shkollë në Kelapa Gading, në Xhakartën Veriore, bëri të ditur shefi i policisë, Asep Edi Suheri, në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion. Deri tani, 54 persona janë dërguar në spitale, disa prej tyre me lëndime të lehta, ndërsa të tjerë kanë plagosje më serioze ose djegie si pasojë e incidentit.
Mediat lokale kanë publikuar pamje që tregojnë njësi speciale të policisë në vendin e ngjarjes. Rrjetet KompasTV dhe MetroTV transmetuan video ku shihen oficerë policie që rrethojnë shkollën dhe ambulanca që nxitonin për të transportuar të plagosurit.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes nuk tregojnë dëme të mëdha në ndërtesën e xhamisë, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit.



