Shpërthim dhe zjarr në resortin zviceran të skive Crans-Montana, 10 të vdekur

Të paktën 10 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një shpërthimi të ndjekur nga zjarri që përfshiu një bar në Crans-Montana të Zvicrës në natën e Vitit të Ri, transmeton Anadolu.
Policia zvicerane tha për “Sky News” se numri i të vdekurve është rritur në të paktën 10, duke shtuar se rreth 10 të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. Autoritetet thanë se incidenti nuk po trajtohet si i lidhur me terrorizmin, shtoi media.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas kohës lokale në Le Constellation Bar and Lounge, një vend dykatësh që priste më shumë se 100 persona, sipas zyrtarëve të policisë, të cituar nga media zvicerane Blick.
Shkaku i shpërthimit nuk është përcaktuar ende, shtoi media. Ajo citoi një mjek që tha se dhjetëra të tjerë u plagosën. Policia kantonale dhe bashkiake, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore të urgjencës u dërguan në vendngjarje, me disa helikopterë që ndihmuan në operacionet e shpëtimit. Përpjekjet për reagim ndaj urgjencës janë ende duke vazhduar.
Policia tha se zona është mbyllur plotësisht dhe është vendosur një zonë ndalim-fluturimi për të lehtësuar operacionet e shpëtimit. Një mjek nga shërbimi zviceran i ambulancës ajrore dhe shpëtimit i tha transmetuesit kombëtar RTS se spitalet aty pranë janë “të mbingarkuara me viktima të djegies”.
Autoritetet kanë ngritur një linjë ndihme për familjet që kërkojnë informacion në lidhje me njerëzit që ishin në vendpushimin Valais gjatë natës. Ndërkohë, raportet e paverifikuara që qarkullojnë në mediat sociale sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pajisjet piroteknike të përdorura gjatë një koncerti në vend. Policia nuk i ka konfirmuar këto pretendime.
Një konferencë për mediat është planifikuar sot në orën 10:00 sipas kohës lokale, kur autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme.



