Shpallje publike për zgjedhjen e 47 prokurorëve publikë
Këshilli i Prokurorëve Publikë publikoi shpalljen për zgjedhjen e gjithsej 47 vendeve të prokurorëve publikë nëpër disa Prokurori Publike Themelore në territorin e tërë vendit.
Kryetarja e Këshillit të PP-së Dushica Dimitrieska, sqaroi se është publikuar shpallje për zgjedhjen e 14 prokurorëve publikë në PTHP Shkup, katër në PTHP Tetovë, nga tre në PTHP Kumanovë, Ohër, Prilep dhe Shtip, dy në PTHP Gjevgjeli, Manastir, Gostivar, Kërçovë dhe Strumicë, dhe nga një në PTHP në Kriva Pallankë, Veles, Resnje, Strugë, Radovish, Dellçevë dhe në Koçan.
“Gjendja është alarmante, momentalisht ka mungesë të rreth 100 prokurorëve publikë, kështu që ky numër prej 47, natyrisht nëse thirren, do ta lehtësojnë deri diku gjendjen”, deklaroi Dimitrieska.
Prokurori publik republikan, Ljupço Kocevski, më herët në njëdeklaratë për media, potencoi se asnjë prokuror i ri publik nuk do të zgjidhet së paku në tre vitet e ardhshme, duke qenë se gjenerata e nëntë do të duhet t’i nënshtrohet një trajnimi 20 mujor.
Këshilli në seancën e sotme publikoi shpalljen për zgjedhjen e dy prokurorëve publikë në PTHP NKOK.
Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë “Pavel Shatev” dje ka ndarë vërtetime për kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë publikë të gjeneratës së tetë në trajnimin fillestar të Akademisë. Siç informoi drejtoresha e Akademisë, Irina Trajkoska Strezoski, vërtetim kanë marrë gjithsej 97 kandidatë, prej të cilëve 50 janë gjyqtarë, ndërsa 47 prokurorë publikë.